Ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj, ka reaguar ndaj siç e ka quajtur trysninë që po bën Bashkimi Evropian ndaj taksës së vendosur nga Qeveria e Kosovës për mallrat e Serbisë dhe të Bosnjë e Hercegovinës, raporton Ekonomia Online.
Lekaj përmes një postimi në Facebook, thotë se Kosovën e mbytën me hipokrizi, për sa kohë që shpreh qëndrimin se taksa 100% do të të vazhdojë, derisa nuk kemi njohje nga Serbia, liberalizim dhe njohje të plotë nga BE-ja.
Ky është postimi i plotë i ministrit Pal Lekaj:
Kosovën e mbytët me hipokrizi!
Është e vërtetë që jemi vendi më properëndimor në Evropë, e ndoshta në botë, por e vërteta tjetër e dhimbshme është se jemi më të margjinalizuarit në këtë pjesë të botës. Deri kur kështu, që disa zyrtarë, burokratë të pandreçshëm, të luajnë me ndjenjat dhe durimin e Kosovës dhe të qytetarëve të saj?!
S’duhet të ketë kompromis në të drejtën tonë për të patur sovranitet, integritet, për të levizur lirshëm e për të qenë të respektuar për vendimet që i marrim.
Taksa 100% të vazhdojë, derisa nuk kemi njohje nga Serbia, liberalizim dhe njohje të plotë nga BE-ja.
Zotëri Komisionar Hahn, me këto lajme do të ishte më mirë të vinit në Kosovën e pavarur, e jo për të bërë trysni.