Shefi i deputetëve të AAK-së, Pal Lekaj, ka thënë se me opozitën dhe me qytetarët e Kosovës do të bashkërendojnë veprimet për të kundërshtuar votimin e mundshëm të demarkacionit në Kuvend.
“Me Vetëvendosjen dhe me Nismën jemi bashkë në kundërshtimin e të këqijave që i vijnë Kosovës. Ju e dini që zoti Haradinaj e ka nisur kauzën për demarkacionin”, ka thënë Lekaj, në Interaktiv të KTV-së.
Por ka shtuar se me Vetëvendosjen do të mund t’i ndante reagimi në Kuvend. Lekaj thotë se gazi ka “kryer punën e vet” dhe se është i bindur që kurdo që demarkacioni të vihet për votim në Kuvend, nuk do të marrë votat për ratifikim.
“Nuk ka nevojë që më të hedhim gaz. Gazi ka kryer punën e vet. Jam më se i bindur që demarkacioni nuk do të kalojë sepse më shumë se 20 deputetë të pozitës nuk do ta votojnë. Kjo mjafton që të mos kalojë”, ka thënë Lekaj.
Ai po ashtu thotë se është i habitur me veprimet e liderit të LDK-së, kryeministrit Isa Mustafa, që, sipas Lekajt, po bën kërcënime komuniste drejt deputetëve të partisë së tij nëse ata votojnë kundër demarkacionit.
“Më çudit fakti te LDK-ja sepse Isa Mustafa thotë se ndjek rrugën e Ibrahim Rugovës, që ishte demokrat e mjaft liberal, por Mustafa ka nisur kërcënimet me sanksione që t’i përjashtojë nga partia, që për mua është veprim komunist”, ka shtuar ai.