Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, ka vizituar sot Komunën e Obiliqit, ku ka takuar kryetarin Xhafer Gashi.
Lekaj tha se në këtë komunë nga ministria që ai drejton do të investohen rreth 3 milionë euro në vitin 2018. Ai theksoi se Gashi është punëtor e aktiv dhe ka arritur t’i realizojë projektet e tij.
“Gashi është kryetari më aktiv më kërkues i projekteve. Kryetari ia ka arritur t’i përmbushë premtimet e t’i kryejë punët. Ministria do të jetë mbështetje e të gjitha projekteve që kanë kosto rreth 3 milionë euro”, tha Lekaj.
Gashi e njoftoi ministrin Lekaj për problemet e komunës që ai drejton kryesisht në infrastrukturën e rrugëve, problemet e nënkalimeve në fshatin Milloshevë si dhe të elektrifikimit në ndërtesa.
“Ne bashkëbiseduam për problemet dhe shqetësimet për infrastrukturën e komunës, poashtu janë problemet e elektrifikimit në ndërtesa, pengesë është zhurma qe vjen prej autostradës. Shqetësim për qytetarët në Milloshevë puna e nënkalimeve dhe shumë probleme të rrugëve të cilat priten të realizohen, njëra ndër to është ndërtimi i urës pranë lumit Sitnica”.
Lekaj e Gashi vizituan fshatin Hamidi përkatësisht urën pranë lumit Sitnica e cila është në ndërtim e sipër nga Ministria e Infrastrukturës e që lidh shtatë fshatra të komunës së Obiliqit. Të dy vizituan edhe rrugën kryesore të fshatit Sibovc që e lidh këtë vend me fshatrat Shipitullë dhe Grabovc.
Kryetari Gashi theksoi se rruga e fshatit Sibovc do të shndërrohet në rrugë regjionale që do të lidh tri komuna Obiliqin, Fushë Kosovën dhe Skenderajn.
“Ky projekt ka vlerën e 700 mijë eurove për të realizuar një rrugë të re, ku kjo rrugë regjionale lidh Obiliqim, Fushë Kosovën dhe shpresojmë në përkrahje nga ministria dhe kërkesat tona për vitin 2018 janë 3 milionë euro”.
Ndërsa Lekaj, tha se ministria do të jetë përkrahëse e fuqishme e këtyre projekteve.
“Po vizitojmë rrugët që janë në projekt të kryetarit të Obiliqit dhe do të jem mbështetës i fuqishëm i këtyre projekteve, i premtova Gashit që do të përfundojmë edhe këtë projekt, do të zotohemi se atu ku ka impakt pozitiv do të jemi me projekte”.