Pas mesnatës të ditës së diel, në orën 02:18, është regjistruar një tërmet me magnitudë 4.0 të shkallës rihter, që është ndier në Tiranë dhe në Durrës.
Sipas EMSC-së, më e larta lëkundje është regjistruar me magnitudë 4.5 të shkallës rihter me epiqendër Detin Adriatik. Ndërsa lëkundjet e tjera kanë qenë me magnitudë më të ulët. Instituti i Gjeoshkencave të Ujit dhe Mjedisit (IGJEUM) thotë se tërmeti ka qenë me magnitutë 4 ballë, shkruan sot Koha Ditore. Shumë qytetarë të Durrësit, por edhe të Tiranës nxituan të dalin jashtë, ndërkohë që për sizmologun e IGJEUM-it, Llambro Duni, këto paslëkundje janë normale dhe të paralajmëruara, ndaj dhe apelon qytetarët që të mos përfshihen nga paniku, pasi nuk ka asgjë për t’u shqetësuar dhe se është një trend normal.
“Nuk ka asgjë për të shqetësuar. Është një trend normal në rastin e tërmeteve të tilla. Pasi goditjet do të vazhdojnë, ndjekin një trend zbritës, por mund të ketë dhe të tilla që mund të ndihen, të kësaj madhësie që perceptohen”, u shpreh Duni.
Sizmologu Duni këshilloi që qytetarët t’iu referohen të dhënave të publikuara nga IGJEUM, pasi në rastin e lëkundjes më të fortë gjatë natës ka të dhëna kontradiktore. “Ky tërmet ka pasur madhësinë 4 sipas nesh, 4.5 është sipas një tipi tjetër magnitude. Numri i këtyre pasgoditjeve vazhdon dhe kjo mund të vazhdojë për njëfarë kohe. Është e vështirë të them kohën, por mund të kërkojë 1,2 por edhe 3 muaj”, deklaroi Duni.