Lëndimet nga mjetet piroteknike, gjashtë pacientë të hospitalizuar në Klinikën e Kirurgjisë Plastike

Prishtinë | 05 Jan 2026 | 13:53 | Nga Ekonomia Online

Gjashtë persona të cilët pësuan lëndime gjatë festave të fundvitit si shkak i mjeteve piroteknike janë hospitalizuar në Klinikën e Kirurgjisë Plastike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Kështu njofton Shërbimi Spitalor Klinik Universitar, derisa bëjnë të ditur se gjatë festave të funditvitit kanë trajtuar një numër të konsiderueshëm pacientësh që u lënduan si shkak i mjeteve piroteknike.

Ata bëjnë të ditur se pjesa më e madhe e të lënduarve janë fëmijë dhe adoleshentë.

“Në Klinikën e Kirurgjisë Plastike të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, gjatë festave të fundvitit, është trajtuar një numër i konsiderueshëm pacientësh të lënduar si pasojë e përdorimit të mjeteve piroteknike, kryesisht petardave. Pjesa më e madhe e të lënduarve janë fëmijë dhe adoleshentë. Rastet e trajtuara në këtë klinikë kanë qenë kryesisht lëndime të duarve, veçanërisht të gishtërinjve, të cilat në disa raste kanë përfunduar me amputime të pjesshme apo të plota, si dhe me dëmtime serioze funksionale të aparatit tendinoz (tendinave te gjishtrinjëve të duarve). Po ashtu, janë regjistruar edhe lëndime në regjionin e fytyrës, të cilat kërkojnë trajtim të specializuar dhe mund të lënë pasoja estetike dhe funksionale afatgjata. Aktualisht, gjashtë pacientë janë të hospitalizuar në Klinikën e Kirurgjisë Plastike për shkak të lëndimeve shumë të rënda të duarve, të cilat kërkojnë mjekim të mëtejmë dhe trajtim të specializuar. Këto lëndime shpesh shoqërohen me pasoja të përhershme funksionale dhe psikologjike, si dhe kërkojnë ndërhyrje të shumta kirurgjikale dhe rehabilitim afatgjatë”, thuhet në njoftim.

Për këtë u bëhet thirrje prindërve.

“Klinika e Kirurgjisë Plastike u bën thirrje prindërve, kujdestarëve dhe institucioneve përkatëse që të rrisin kontrollin dhe ndërgjegjësimin lidhur me rreziqet e përdorimit të mjeteve piroteknike, veçanërisht nga fëmijët”, thueht në thirrjne e ShSKUK-së.

Të ngjashme