Milot Rashica shpresohet se do ta udhëheqë Përfaqësuesen e Kosovës në futboll në ndeshjet e shtatorit. Kosovën e presin ndeshje thuajse vendimtare, ndërsa së fundi 23-vjeçari ka qenë prej lojtarëve që kanë shfaqur formën më të lartë.
Sulmuesi i krahut ka nisur pozitivisht edhe edicionin e ri te Werder Bremeni, nëse për bazë merret vetëm kontributi i tij, shkruan sot “Koha Ditore”.
Ka shënuar gol më 10 gusht në një ndeshje për Kupë të Gjermanisë, ndërsa të shtunën asistoi në golin e vetëm të Werderit që pësoi 3:1 nga Fortuna Duesseldorfi në xhiron e parë të Bundesligës. Ai u zëvendësua në minutën e 65-të jo për shkak të performancës apo për shkaqe taktike, por për arsye lëndimi. Ka pasur dhembje në kofshë dhe për këtë trajneri i Werderit është detyruar të bëjë zëvendësim.
Werderi të dielën ka dalë me komunikatë, por nuk ka qartësuar gjendjen fizike të Rashicës. Ka njoftuar për lëndimin në kofshë, por nuk ka saktësuar se sa do të mungojë.