Me fillim nga ora 15:30, Bayern Munich e zhvillon ndeshjen e fundit për këtë sezon në Bundesliga.
Bavarezët luajnë në udhëtim përballë ekipit të Hoffenheimit.
Për këtë përballje, ekipi gjerman do i bëjë llogaritë pa sulmuesin Harry Kane.
Anglezi do të jetë jashtë fushës së gjelbër për shkak të një lëndimi.
“Harry po trajtohet me mjekun e tij personal. Ai nuk do të udhëtojë për në Hoffenheim”, tha trajneri i tij Thomas Tuchel në një konferencë për shtyp të premten, duke treguar se 30-vjeçari vuante nga një dëmtim i shpinës.
Lëndimi i tij është shqetësues edhe për Anglinë, katër ditë para shpalljes së listës së “Tre Luanëve” për “Euro 2024”.
Me 62 gola në 89 ndeshje, që nga debutimi i tij për ‘Tre Luanët’ në vitin 2015, Harry Kane është golashënuesi më i mirë në historinë e skuadrës angleze.
Në 32 paraqitjet e këtij edicioni në Bundesliga, Kane ka shënuar 36 gola e ka bërë tetë asistime.