Lëngjet dhe pijet e gazuara rrisin rrezikun nga kanceri

Prishtinë | 04 Sht 2024 | 23:13 | Nga Ekonomia Online

Edhe më shumë lajme të këqija për adhuruesit e pijeve me sheqer, si ato me gaz dhe të pemëve. Një studim i ri e ka ndërlidhur konsumimin e një gote të vogël me pije me sheqer për ditë – pra rreth 100ml, rreth një e treta e një kanaçeje tipike të pijeve të gazuara – me rritjen prej 18 për qind të rrezikut nga të gjitha llojet e kancereve dhe 22 për qind të kancerit në gji, shkruan CNN. 

Studimi, i cili ka analizuar më shumë se 100.000 të rritur francezë, ka ndërlidhur konsumimin e pijeve me sheqer me rritjen e rrezikut nga prekja prej disa kancereve. Ky studim është realizuar pas një studimi tjetër të kohëve të fundit, i cili ka lidhur konsumimin e pijeve me sheqer me rrezikun më të madh nga vdekja e parakohshme.

“Rezultatet i dëshmojnë statistikisht lidhjet e caktuara mes konsumimit të pijeve të ëmbla dhe rrezikut nga kanceret, dhe specifikisht rrezikut nga kanceri i gjirit”, ka thënë Ian Johnson, studiues i nutricionit dhe anëtar i institutit “Quadram” për bioshkencë, i cili nuk ishte i përfshirë në studim.

“Ndoshta është e çuditshme, por rreziku i rritur nga kanceri tek konsumuesit më të mëdhenj të pijeve me sheqer ishte vërejtur madje edhe në mesin e konsumuesve të lëngut të pemëve – dhe kjo gjë kërkon më shumë hulumtime”, ka thënë Johnson për Qendrën Mediale të Shkencës në Britaninë e Madhe. Mathilde Touvier, autore kryesore e studimit, i cili ishte publikuar të mërkurën në revistën mjekësore BMJ, ka thënë se gjetjet e hulumtimit tregojnë se konsumimi më i paktë i pijeve me sheqer mund të jetë i dobishëm për shëndetin.

“Ajo që kemi vërejtur është se faktor kyç në këtë lidhje duket se është vërtet sheqeri, të cilin e përmbajnë këto pije të ëmbla”, ka thënë Touvier, i cili është drejtori i studimit të Ekipit Hulumtues për Epidemiologjinë Nutrocioniste nga Instituti për Hulumtime Kombëtare Mjekësore dhe Shëndetësore në Universitetin 13 të Parisit. Touvier ka thënë, po ashtu, se ekipi i saj ka vërejtur se sheqeri ka dalë të jetë faktori kryesor i lidhjes.

“Konsumimi i madh i pijeve me sheqer është një faktor rreziku për shtim peshe dhe për obezitet”, ka thënë ajo, ndërsa ka shtuar se “obeziteti është në vetvete një faktor rreziku për kancer”, Një tjetër mundësi janë se aditivët, 4-metilimidazole, që gjenden në pijet që përmbajnë ngjyra karameli, dhe që mund të luajnë një rol të rëndësishëm për formimin e kancerit. Touvier ka sugjeruar që njerëzit duhet t’u përmbahen udhëzimeve të shëndetit publik, të cilat këshillojnë të konsumohen pije me sheqer të kufizuar dhe më së shumti një gotë në ditë. Si përgjigje ndaj këtij studimi, Asociacioni amerikan i Pijeve ka vënë në pah sigurinë e pijeve me sheqer.

“Është e rëndësishme që njerëzit ta dinë se të gjitha pijet – qofshin ato me apo pa sheqer – janë të sigurta për t’u konsumuar si pjesë e një diete të baraspeshuar”, ka thënë zëdhënësja e Asociacionit amerikan të Pijeve, Danielle Smotkin.

“Por edhe kompanitë kryesore të pijeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë duke punuar bashkërisht për t’i përkrahur përpjekjet e konsumatorëve për ta ulur konsumimin e sheqerit nga pijet, duke prodhuar më shumë alternativa me më pak sheqer apo me zero sheqer, pako me masë më të paktë dhe duke ofruar informata të qarta për kalori përpara paketimit”. 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme