Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe ish-Komandanti i UÇK’së në Zonën e Dukagjinit, Ramush Haradinaj, është lënë të ulet në fund të skenës së ngritur, në organizimin e mbajtur sot për shënimin e 25-vjetorit të çlirimit të Kosovës, ku parakaloi Forca e Sigurisë së Kosovës dhe Policia e Kosovës.
Haradinaj është parë i ulur në rreshtin e parafundit, bashkë me deputetë të AAK’së.
Diplomati i Kosovës në Kanada, Donat Syla, e ka quajtur këtë poshtërim e fyerje. Syla ka thënë se Haradinaj nuk do të duhej të ftohej në këtë ngjarje si kryetar i AAK’së, por si përfaqësues i një familje emblematike dhe se do të duhej të ulej përkrah Rifat Jasharit.
“S’di a eshte gabim protokolli apo e qellimshme, mirepo me e lan Ramush Haradinajn kaq prapa, eshte poshterim e fyerje jo per te, po per gjakun e deshmoreve dhe qendresen e sakrificen stoike te familjes Haradinaj. Ai aty nuk do te duhej te ftohej si kryetar i AAK’se, po si perfaqesues i nje familje emblematike, e do te duhej te ulej perkrah baces Rifat!”, ka shkruar Syla.
Edhe gazetari Besnik Batusha ka bërë një reagim për këtë.
“Ramushin keni mujt mos me e thirr hiç, ne fakt ky s’ka nevoje per ftesen tuaj. Ramushi dhe familja e tij e kane vendin ne histori, e historia nuk matet me karrige dhe rresht. Kur Ramushi, Luani, Shkelzeni, Dauti… jane fut ne rresht para 35 vjetesh disa prej juve qe ishit te pranishem ne Diten e Çlirimit keni jetu te lumtur ne ‘bratstvo-jedinstvo’. Hajt beg se ka hendek 😉”, ka shkruar Batusha.
Familja Haradinaj ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në luftën për liri të vendit. Dy djemë të kësaj familje, Luani dhe Shkëlzeni, kanë rënë në luftë. Ramush Haradinaj dhe Daut Haradinaj kanë qenë ndër figurat kryesore të UÇK’së.