Tifozët e Lensit i janë gëzuar, por edhe i frikësohen përfundimit të hershëm të sezonit të futbollit në Francë, që për pasojë pati rikthimin e hershëm në ligën elite ‘Ligue 1’.
Qyteti i vjetër i minierave i Lensit ka një popullsi prej pak më shumë se 31,000 njerëzish, por tifozët rregullisht mbushin stadiumin me kapacitet prej 38 mijë ulësesh, përkundër që skuadra herën e fundit kur e ka fituar titullin e kampionit ka qenë viti 1998, shkruan AFP.
Por, që nga promovimi javën e kaluar, mbështetësit pasionantë të klubit shqetësohen se ata megjithatë nuk do të lejohen të kthehen në stadiumin “Stade Bollaert”, për ta festuar rikthimin në kategorinë e parë, transmeton KOHA.
“Isha në punë kur dëgjova lajmet, kështu që në të njëjtën ditë ne nxorëm flamujt,” i tha AFP-së tifozi i skuadrës Gaetan Guenard, duke bërë me gisht kah banerët e klubit që ishin të vendosur sipër dritares së kompanisë së sinjalistikës, vendi ku ai punon.
Vitet e fundit kanë qenë të vështira për qytetin, ku miniera e fundit u mbyll në vitet 1990, si dhe klubi, i cili ka kaluar pjesën më të madhe të 12 sezoneve të fundit në divizionin e dytë.
“Këtu në Lens ekziston një nevojë e madhe sociale. Ky rajon ka vuajtur shumë dhe njerëzit shkojnë në stadium për ta gjetur lumturinë. Është e sigurt që lumturia e tifozëve është shumë më e madhe në Ligue 1,” thotë Arnaud Pouille, drejtori i përgjithshëm i klubit.
Rregullat e kontrollit të koronavirusit në Francë nënkuptojnë që shumica e dyqaneve në Lens të mbesin të mbyllura dhe rrugët në qendrën e qytetit të vogël janë thuajse të shkreta.
“Kanë qenë 30 mijë shikues në ndeshjet e skuadrës Ligue 2, por pa dashur të jemi të pasjellshëm, kjo nuk na kënaqte. Tani do të kemi mundësinë ta shohim derbin kundër Lille dhe klubet historike si Marseille, Saint-Etienne dhe Nantes”, tha David Decoster, arkëtar i Federatës së Bashkuar të Lensit, i cili ka 29 shoqata me mbi 2,000 anëtarë.
Miku i tij, Mathieu Fourdrinier, sekretar i grupit të tifozëve, thotë se ata e merituan promovimin.
“Ne kemi pasur shumë zhgënjime në vitet e fundit dhe mendoj se besnikëria e tifozëve është shpërblyer, si dhe puna e mirë e bërë nga klubi,” tha Fourdrinier.
Të dy kanë ndjenja të përziera. Ata do të preferonin ta shikonin fundin e sezonit në fushë, në mënyrë që të festonin me lojtarët.