Lionel Messi është pezulluar nga ndeshja e parë kualifikuese e Argjentinës për Kupën e Botës 2022 dhe është gjobitur me 1.500 dollarë (1.300 euro) nga organi qeverisës i futbollit në Amerikën Jugore (CONMEBOL).
CONMEBOL ka thënë se e ka marrë këtë vendim për dënimin dhe gjobitjen e Messit për shkak të kartonit të kuq që ylli i Barcelonës e mori në fitoren e Argjentinës 2:1 ndaj Kilit për vendin e tretë në Kupën e Amerikës.
Messi ishte përjashtuar me karton të kuq në minutën e 37-të pas një përleshjeje me Gary Medelin e Kilit, i cili po ashtu e mori të kuqin.
Kualifikimet për Katari 2022 në Amerikën Jugore nisin në muajin mars.
Kritikat e ashpra të Messit ndaj CONMEBOL dhe akuzat se në Kupën e Amerikës kishte korrupsion dhe se Argjentina po trajtohej keq u lanë në heshtje nga ky organ qeverisës.
Messi kishte kërkuar falje më vonë për komentet e tij.