Komuna e Leposaviqit nga buxheti i vet ka investuar mbi 800 mijë euro për projektet e infrastrukturës bazike, posaçërisht në projektin e asfaltimit të rrugës që lidh tri fshatrat shqiptare të Leposaviqit, Bistricë, Cerajë dhe Koshtovë, si dhe në infrastrukturën shkollore dhe shëndetësore
Tri fshatrat shqiptare që i takojnë komunës së Leposaviqit nuk janë më të izoluara dhe të anashkaluara nga komuna e Leposaviqit, siç ishte para tri vjetëve, kur me komunën e Leposaviqit qeverisnin strukturat paralele të Serbisë dhe kur në këto fshatra mbretëronte gjendje e rëndë ekonomike, pasiguri e lëvizjes dhe mungesë e investimeve.
Prej zgjedhjeve lokale të 3 nëntorit të vitit 2013, komuna e Leposaviqit ka kthyer kokën edhe nga fshatrat shqiptare, më tepër falë përfaqësuesve shqiptarë në institucionet e komunës së Leposaviqit. Kontributin më të madh që komuna e Leposaviqit ta kthejë kokën edhe në drejtim të fshatrave Bistricë, Cerajë dhe Koshtovë pa dyshim e ka nënkryetari i Leposaviqit, Xhemshit Bekteshi, i cili ka qenë këmbëngulës që investimet të shkojnë edhe në këto fshatra.
Fshatrat Bistricë, Cerajë dhe Koshtovë nuk janë shumë larg nga njëra-tjetra. Tri fshatrat kanë rreth 30 shtëpi. Në kushte normale, siç janë tani pas zgjedhjeve të fundit për pushtetin lokal, atje mund të shkohet për një orë e gjysmë nga Mitrovica. Të tri fshatrat kanë 21 nxënës të cilët mësojnë në shkollën që ndodhet në Bistricë. (Zëri)