Letër drejtuar Kurtit nga 10 organizata të shoqërisë civile të cilët punojnë për komunitetet

Prishtinë | 25 Pri 2021 | 13:46 | Nga Ekonomia Online

Një grup i organizatave të shoqërisë civile me anë të një letre ia janë drejtuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Në letrën e këtyre organizatave që punojnë me dhe për komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian kërkohet që të sigurohet qasje e barabartë për këto komunitete në shërbimet e kujdesit shëndetësor dhe shërbime publike dhe ujë të pijshëm.

Mungesa e këtyre shërbimeve, sidomos në ato shëndetësore dhe ujin e pijshëm bënë që këto komunitete në kohë pandemie të jenë më të rrezikuarit për t’u prekur nga COVID-19.

Në letrën e 10 organizatave drejtuar kreut të ekzekutivit, vihet në pah se për shkak të kushteve jo të mira ekonomike është e pamundur të ndiqet arsimi i detyrueshëm.

Ndër të tjera si problëm i madh për këto komunitete është diskriminimi dhe stigmatizimi nga ana e shoqërisë, edhe në tregun e punës.

Këto komunitete ballafaqohen me vështirësi të mëdha në sigurimin e punësimit.

Kjo letër kërkon nga kryeministri Kurti, të ndihmojë këto komunitete në eliminimin e antigjipsizmit, dhe mundësimin e qasjes së barabartë në shëndetësi, shërbime, arsim dhe punësim.

Përveç kryeministrit, letra iu është dërguar edhe presidentës Vjosa Osmani, kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, dhe Ambasadorëve: të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Evropian, Gjermanisë, Zvicrës dhe akterëve të tjerë.

Letra e plotë:

Albin Kurti
Kryeminister

Qeveria e Kosovës

I nderuar z. Kurti,

Ne – përfaqësuesit e nënshkruar të organizatave të shoqërisë civile të cilët punojnë me dhe për komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian në Kosovë

– duke pasur parasysh Kushtetutën e Republikës së Kosovës të 15 qershorit 2008, e cila, ndër të tjera, thotë se: Kosova është një shoqëri multi-etnike e përbërë nga shqiptarët dhe komunitetet tjera, e qeverisur në mënyrë demokratike me respekt të plotë të sundimit të ligjit përmes institucioneve të saja legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore,

– duke pasur parasysh Artikullin. 9.2 të Ligjit për Mbrojtjen dhe Promovimin e të Drejtave të Komuniteteve që përcakton konsiderimin specifik të komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian kur bëhet fjalë për mundësitë ekonomike,

– duke pasur parasysh kornizën strategjike rome të BE-së për barazi, përfshirje dhe pjesëmarrje 2020-2030 të 7 tetorit 2020; rekomandimin e 12 marsit 2021 të Këshillit për barazinë rome, përfshirjen dhe pjesëmarrjen; Rezolutën e Parlamentit Evropian për zbatimin e Strategjive Kombëtare për integrimin e Romëve të 17 Shtatorit 2020; dhe Paketën Ekonomike dhe të Investimeve për Ballkanin Perëndimor të 6 tetorit 2020,

– duke pasur parasysh përkushtimin publik të Kryeministrit të Kosovës z. Albin Kurti, për të zhvilluar politika dhe ligje që do të sigurojnë, ndër të tjera, barazinë dhe pjesëmarrjen e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë pa diskriminim,

– ndërsa romët, ashkalinjtë dhe egjiptianët në përgjithësi janë të përjashtuar nga shoqëria; ata nuk kanë qasje në shërbime dhe mundësi ekonomike në krahasim me pjesën më të madhe të popullatës, madje edhe në krahasim me jo-romët, ashkalinjët dhe egjiptasit që jetojnë në afërsi të tyre; ata përballen me boshllëqe të mëdha në qasje në shërbime, mundësi ekonomike dhe mirëqenie në krahasim jo vetëm me popullsinë e përgjithshme në Ballkanin Perëndimor, por me jo-romët, ashkalinjët dhe egjiptiasit që jetojnë afër tyre; gjasat janë shumë më të ulëta që ata të ndjekin shkollën (përfshirë arsimin e detyrueshëm), të gëzojnë qasje në kujdesin shëndetësor, në ujë të pijshëm apo edhe kanalizim dhe shumica e tyre jetojnë në vendbanime/banesa nën standard; gjasat janë shumë më të ulëta të marrin pjesë në tregun e punës dhe, nëse marrin pjesë në tregun e punës, mundësitë janë të pakta që do të punësohen, gjithashtu duke marrë parasysh pabarazinë e madhe gjinore; ata që janë të punësuar fitojnë shumë më pak dhe përballen me kthim më të ulët në arsim dhe një mundësi më të madhe për të patur një punë joformale me të cilën nuk mund ta mbulojnë sigurimin shoqëror;

– ndërsa sipas Barometrit Ballkanik, qytetarët e Ballkanit Perëndimor (përfshirë Kosovën) besojnë se diskriminimi ndaj romëve dhe bashkësive të tjera etnike të stigmatizuara si ‘maxhup-ciganë’ është i përhapur në rajon; ndërsa antigjipsizmi i rrënjosur thellë, i vazhdueshëm dhe strukturor dhe shpesh institucional dhe qeveritar vazhdon të ekzistojë në të gjitha nivelet e shoqërisë së Ballkanit Perëndimor dhe manifestohet çdo ditë dhe njihet si pengesë kryesore në arritjen e potencialit të plotë të romëve dhe të tjerëve që stigmatizohen si ‘maxhup – ciganë’ duke qenë qytetarë të Ballkanit Perëndimor dhe veçanërisht si qytetarë të Kosovës për të gëzuar plotësisht të drejtat themelore, përfshirjen sociale dhe barazinë, drejtësinë sociale në të gjitha sferat e jetës, përfshirë strehimin, arsimin, kujdesin shëndetësor dhe punësimin;

– ndërsa luftimi i antigjipizmit dhe sigurimi i barazisë për të gjithë përmes legjislacionit ekzistues nuk është i mjaftueshëm; Kosova duhet të tregojë vendosmëri për të thyer ciklin vicioz të antigjipsizmit, për të mbrojtur barazinë dhe mos-diskriminimin për qytetarët e saj romë, ashkali dhe egjiptianë në mënyrë që ti gëzojnë plotësisht të drejtat e tyre themelore të njeriut;

– derisa një shumicë e konsiderueshme e romëve, ashkalive dhe egjiptianëve jetojnë në varfëri të skajshme e njejta është njëkohësisht rezultat dhe nxitës i antigjipsizmit, përjashtimit në arsim, punësim, shëndetësi dhe strehim;

– ndërsa një shumicë e konsiderueshme e romëve, ashkalive dhe egjiptianëve jetojnë në ndërtesa banimi nën standard; në anën tjetër jetëgjatësia dhe gjendja shëndetësore e romëve, ashkalive dhe egjiptianëve në Kosovë mbetet dukshëm më e ulët sesa për jo-romët, ashkalinjtë dhe egjiptianët; ndërsa një numër i konsiderueshëm i të rriturve romë, ashkali dhe egjiptianë vuajnë nga nivele të larta të analfabetizmit dhe braktisjes së hershme të shkollës; derisa romët, ashkalinjtë dhe egjiptianët përballen me diskriminim, Shërbimet Publike të Punësimit kanë mangësi kapacitetesh për të arritur deri tek të njejtit, ose zbatojnë praktika indirekte të diskriminimit;

– ndërsa padrejtësitë mjedisore kanë të bëjnë rregullisht me rreziqet shëndetësore dhe pasojat negative për romët, ashkalinjtë dhe egjiptianët dhe ata preken në mënyrë disproporcionale nga ngarkesat mjedisore, kanë më pak qasje në burimet dhe shërbimet mjedisore dhe diskriminohen në të drejtën e tyre për informacion, për pjesëmarrje në vendimmarrje dhe qasje në drejtësi në çështjet mjedisore;

– duke qenë se kulturat rome, ashkalike dhe egjiptase janë pjesë e kulturës dhe vlerave të Kosovës dhe këto komunitete kanë kontribuar në pasurinë kulturore, diversitetin, ekonominë dhe historinë e përbashkët të Kosovës; mbrojtja dhe forcimi i trashëgimisë kulturore në lidhje me pakicat kombëtare në Kosovë luan një rol thelbësor në kohezionin shoqëror;

– ndërsa pjesëmarrja dhe fuqizimi i barabartë i romëve, ashkalive dhe egjiptasve në krijimin e politikave, nga të gjitha nivelet, duhet të sigurohet më mirë: akterët e interesuara lokale dhe kombëtare (OJQ, aktivistë, ekspertë, anëtarë të komunitetit, etj.) duhet të përfshihen në mënyrë të konsiderueshme në zhvillimin, zbatimin dhe monitorimin e politikave publike ndaj njerëzve me prejardhje etnike rome, ashkalike dhe egjiptase, në kontekstin pas vitit 2020;

– ndërsa kriza COVID-19 ka treguar që situata e komuniteteve të margjinalizuara bazuar në vendbanimet me bazë në komunitet që janë të mbipopulluara është përkeqësuar, se racizmi, diskriminimi, përjashtimi dhe qëndrimet e antigjipsizmit që prekin këto komunitete janë përkeqësuar dhe kjo për shkak të qasjes së kufizuar në kujdesin shëndetësor adekuat, ujë të pijshëm, kanalizim dhe ushqim, ata janë më të rrezikuar të kenë kontakt me COVID-19;

Ne – përfaqësuesit e nënshkruar të organizatave të shoqërisë civile që kemi punuar me dhe për komunitetet rom, ashkali dhe egjiptas në Kosovë dhe përfaqësuesit e partive politike rome, ashkalike dhe egjiptase,

I bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës të paraqesë një propozim legjislativ dhe një dokument strategjik për Barazinë, Përfshirjen dhe Pjesëmarrjen e Romëve, Ashkalinjve dhe Egjiptasve, përfshirë këtu luftimin e antigjipsizmit, mbi bazën e një vlerësimi të plotë të ndikimit dhe në konsultimet sistematike me organizatat e shoqërisë civile dhe përfaqësuesit politik të komuniteteve të lartëpërmendura;

Ne jemi të mendimit se propozimi do t’i japë përparësi arritjes së një ndikimi të rëndësishëm pozitiv; i cili duhet të kombinojë aspektet socio-ekonomike me një qasje të bazuar në të drejtat, duke përfshirë një plan për të eleminuar pabarazitë në strehim, shëndetësi, punësim dhe arsim; duhet të përfshijë objektiva specifikë, të krahasueshme, të arritshme, kërkuese dhe të caktuara për të mbrojtur dhe përmirësuar përfshirjen e romëve, ashkalive dhe egjiptasve, duke përfshirë edhe ata që u përkasin grupeve që përballen me diskriminim të shumëfishtë, të tilla si të rinjtë, gratë dhe vajzat, personat LBGTI dhe personat me aftësi të kufizuara; duhet të promovojë arsimin gjithëpërfshirës, zhvillimin e fëmijërisë së hershme dhe të luftojë diskriminimin dhe ndarjen në shkollë; duhet të promovojë qasje të barabartë në punësim në sektorin publik dhe privat; duhet t’i japë përparësi qasjes së drejtësisë, duke pasur parasysh natyrën kolektive dhe strukturore të diskriminimit ndaj këtyre komuniteteve; duhet të përqendrohet në luftën kundër varfërisë dhe antigjipsizmit, përmirësimin e kushteve të jetesës dhe shëndetit dhe kombinimin e qasjes së synuar dhe kryesore.

I bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës të tregojë se cili nivel i financimit do të nevojitej për të kryer masat e propozuara për përfshirjen e romëve, ashkalinjve dhe egjiptasve dhe për të deklaruar sasinë e parave në dispozicion për masa të tilla qoftë nga buxheti kombëtar dhe nga BE-ja.

Ne theksojmë nevojën për mbledhjen sistematike të të dhënave të ndara etnike dhe gjinore të fuqishme për të informuar nevojat dhe analizën e kontekstit, për të ndihmuar në vendosjen e synimeve dhe treguesve të ndikimit në mënyrë që të sigurojmë rezultatin më të mirë në drejtim të përputhjes së nevojave me planifikimin dhe buxhetimin, si në nivelin lokal ashtu edhe në atë qëndror.

I bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që të krijojë një mekanizëm gjithëpërfshirës, i cili mund të jetë një Task Forcë, për të siguruar pjesëmarrjen e barabartë të organizatave të shoqërisë civile rome, ashkalike dhe egjiptase si dhe atyre pro-rome, ashkalike dhe egjiptase, ekspertëve dhe anëtarëve të komunitetit nga të gjitha nivelet, duke marrë parasysh perspektivën gjinore në debatin mbi politikat dhe vendimmarrje por edhe për të lehtësuar gjithëpërfshirjen në fusha të tjera të politikave.

I bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që të njohë zyrtarisht antigjipizmin si një formë specifike të racizmit kundër romëve, ashkalive dhe egjiptasve (komunitetet të cilat në diskursin publik stigmatizohen si ‘maxhup – ciganë’); i bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që të trajtojë antigjipsizmin në të gjithë fushat e propozimit pas vitit 2020 drejt këtyre komuniteteve dhe të kërkon masa efektive legjislative dhe të politikave;

Inkurajojmë Qeverinë e Kosovës për të miratuar Udhëzime dhe një metodologji trajnimi për nëpunësit publik, agjentët e zbatimit të ligjit, nëpunësit shëndetësor, mësuesit, kundër diskriminimit dhe trajtimit të pabarabartë;

I bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës të zhvillojë masa për të përmirësuar qasjen në shëndetësi cilësore parandaluese dhe shëruese të përballueshme për anëtarët e komuniteteve të përmendura të ndjeshme etnike, duke përsëritur se një element kryesor në atë drejtim është përmirësimi i qasjes në shërbimet shëndetësore – si qasja fizike ashtu edhe heqja e barrierave të paprekshme të paragjykimit dhe racizmit;

I bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që të caktojë fonde të mjaftueshme për përmirësimin e gjendjes së përgjithshme shëndetësore të anëtarëve të këtyre komuniteteve etnike të margjinalizuara përmes edukimit shëndetësor dhe seksual, përmes aktiviteteve mobile të kontrollit shëndetësor në zona të veçuara, përmes fushatave edukative shëndetësore për parandalim dhe përmes trajnimit të punonjësve shëndetësor dhe social mbi shumëllojshmërinë;

I bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës të konsiderojë që arsimimi i fëmijëve rom, ashkali dhe egjiptian të fillojë sa më shpejt që të jetë e mundur, duke i përfshirë ata në shërbime të barabarta, të përballueshme, të arritshme dhe përfshirëse të fëmijërisë së hershme dhe të kujdesit për fëmijët; I bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që të institucionalizojë më tej modele të mira të ndërhyrjes në dhënien e qasjes më të mirë në arsimin fillor, të mesëm të ulët dhe të mesëm të lartë për fëmijët nga komunitetet etnike të disavantazhuara, siç janë programet e mbështetjes pas shkollës përmes Qendrave të Mësimit dhe programit të mentorimit, tutorimit dhe bursave dhe caktimin e mjeteve të përshtatshme financiare për zbatimin e duhur të tyre dhe / ose sigurimin e fondeve të përshtatshme për OJQ-të që ofrojnë shërbime të tilla;

I bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që të sigurojë që të gjitha shkollat dhe inspektoratet në të vërtetë të përmbushin detyrimin e tyre ligjor për ndëshkimin e segregimit jo vetëm në klasa por në shkolla, dhe të angazhohen që çdo vit të mbledhin dhe botojnë situatën e segregimit në klasë dhe në shkollë dhe në të gjitha nivelet, përfshirë sanksionimin e atyre që nuk i respektojnë ato;

Ju rikujtojmë nevojën e menjëhershme për përfshirjen e prindërve në secilën fazë të shkollimit të fëmijëve të tyre; inkurajojmë Qeverinë të zhvillojë programe që synojnë përfshirjen e prindërve në procesin e shkollimit dhe zhvillimit arsimor dhe personal të fëmijëve të tyre.

I bëjmë thirrje Qeverisë që të sigurojë qasje të barabartë të fëmijëve në arsim me cilësi të lartë, duke përfshirë shërbimin e mësimit në komunitet dhe mundësitë e të mësuarit gjatë gjithë jetës; i bëjmë thirrje Qeverisë që të adresojë në mënyrë strukturore respektimin e diversitetit, të kuptuarit ndërkulturor dhe të drejtat e njeriut në programet mësimore të rregullta shkollore dhe media; dhe të përfshijnë trajnime për të drejtat e njeriut, lidership dhe qytetari demokratike, si dhe historinë e komuniteteve etnike në programet e tyre shkollore.

I bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës të investojë në ndërtesa sociale dhe të përballueshme për të zhdukur mbingarkesën e kostos së strehimit tek komunitetet etnikisht të margjinalizuara dhe të varfra;

I bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që të hartojë masa për të mbështetur gratë rome, ashkalike dhe egjiptase për të përmbushur plotësisht potencialin dhe mundësitë e tyre për të vepruar si qytetare aktive të pavarura, të sigurta në vetvete dhe të emancipuara;

I bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës për të siguruar shërbime cilësore të punësimit për të rinjtë të cilët po luftojnë me varfërinë ekstreme, përfshirë ata që nuk janë në punësim, aftësim dhe trajnim.

I bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës të krijojë një Mekanizëm në lidhje me promovimin e punësimit të Romëve, Ashkalinjve dhe Egjiptianëve në institucionet publike duke përfshirë nivelin lokal dhe qendrorë, institucionet qeveritare dhe ndërmarrjet publike.

Nënshkruesit:

Isak Skenderi,

Drejtori Ekzekutiv

Zëri i Romëve, Ashkalinjve dhe Egjiptasve

Muharem Arifi

Executive Director

Balkan Sunflowers Kosova

Bekim Syla

Executive Director

Roma and Ashkali Documentation Center

Bashkim Ibishi

Executive Director

Advancing Together

Berat Thaqi

Executive Director

Bethany Christian Services

Veton Mujaj

Executive Director

Syri i Vizionit

Petrit Tahiri

Executive Director

Kosovo Education Center

Arbon Osmani

Legal Representative

the Ideas Partnership

Florina Sefaj

Country Representative

Terre des hommes

Kopje: Sh.J. Znj. Vjosa Osmani, Presidente e Republikës së Kosovës

Sh.J. Z. Glauk Konjufca, Kryetar të Kuvendit të Kosovës

Znj. Emilia Redžepi, Zëvendëskrzeministre për Çështje të Pakicave dhe Drejtat te Njeriut

Elbert Krasniqi, Minister i Ministrisë së Adminitrimit të Pushtetit LokalHabit Hajredini, Drejtor i Zyrës për Qeverisje të Mirë
Sh.J Z. Tomas Szunyog, Ambasador i Bashkimit Evropian ne Kosovë

Sh.J Z. Philip S. Kosnett, Ambasador i Shteteve te Bashkuara Amerike ne Kosovë

Sh.J. Z. Thomas Kolly, Ambasador i Zvicres ne Kosovë

Sh.J. Mr. Jörn Rohde, Ambasador i Gjermanise ne Kosovë

Të ngjashme