Presidenti letonez Edgars Rinkevics i kërkoi NATO-s të shtunën të rrisë mbrojtjen e shteteve baltike, duke përmendur shkeljet ruse të hapësirës ajrore të aleancës dhe duke iu shtuar një thirrjeje të ngjashme nga Lituania.
Udhëheqësit e NATO-s kanë thënë se Rusia ka shkelur vazhdimisht hapësirën ajrore të aleancës, duke përfshirë shtetet baltike dhe Poloninë, ku më herët këtë muaj avionët e NATO-s rrëzuan disa dronë rusë.
Javën pasuese, Estonia tha se tre avionë luftarakë rusë MiG-31 shkelën hapësirën e saj ajrore për 12 minuta përpara se avionët luftarakë të NATO-s t’i shoqëronin ata jashtë.
“Rusia vazhdon një model provokimesh, së fundmi duke shkelur në mënyrë të pamatur hapësirën ajrore të Polonisë dhe Estonisë”, tha Rinkevics në një takim të komitetit ushtarak të NATO-s në kryeqytetin letonez, Riga.
“Transformimi i policimit ajror të Baltikut në një mision të mbrojtjes ajrore të Baltikut me rregulla përkatëse të angazhimit duhet të jetë një përparësi”, tha ai.
Ministri lituanez i Mbrojtjes, Dovile Sakaliene, më parë këtë muaj tha se Vilnius ka përgatitur një dokument pozicioni mbi një ndryshim në mision për të përfshirë aftësi shtesë “siç janë asetet e mbrojtjes ajrore tokësore, sensorët dhe detektorët”, shkruan Reuters.