Një letër e shkruar nga shkencëtari Albert Einstein, në të cilën ai shtjellon konceptin e tij për fenë, do të vendoset në një ankand të martën në Nju Jork.
E ashtuquajtura “Letra e Zotit” është shkruar më 1954 dhe pritet të shitet për 1.5 milion dollarë.
Fituesi i Çmimit Nobel, atëherë 74 vjeçar, i ka nisur një letër një faqe e gjysmë, filozofit gjerman, Eric Gutkind, në përgjigje të punës së këtij të fundit.
“Kjo letër tejet e sinqertë dhe private është shkruar një vit para vdekjes së Einsteinit dhe vazhdon të mbetet koncepti më i artikuluar për pikëpamjet e tij rreth fesë dhe filozofisë”, është thënë nga zyrtarët e organizimit të ankandit.
Në këtë letër, të shkruar në gjuhën gjermane, Einsteini diskuton besimin në Zot.
“Fjala Zot për mua është asgjë përveç shprehjes dhe produkt i frikës njerëzore. Bibla është koleksion i legjendave të nderuara, mirëpo megjithatë primitive. Asnjë interpretim, pavarësisht sa delikat mund të jetë, nuk mund të ndryshojë asgjë për mua (në këtë çështje)”, ka thënë ai në letër.
Kjo nuk është hera e parë që letrat e Einsteinit janë vënë në ankand.
Vitin e kaluar, një shkresë e nisur nga ai drejt një studenti italian të Kimisë që ka refuzuar ta takojë atë, është shitur për 6,100 dollarë.