Organizata “Let’s Do It Kosova”, ka organizuar aktivitete në kuadër të Fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën” për të shënuar “Ditën Ndërkombëtare të Tokës”, raporton Ekonomia Online.
Aktiviteti kryesor u nis nga lagjja “Emshir”, duke bërë pastrimin e mbeturinave dhe përgjatë rrugës kryesore të “Veternikut”.
Luan Hasanaj drejtor i organizatës “Ta pastrojmë Kosovën”, kërkoi më shumë angazhim në përmirësimin e ambientit.
Ai tha për Ekonomia Online se qytetarët duhet të ndërgjegjësohen dhe të kenë kujdes ndaj ambientit.
“Sot është dita e tokës, ditë ku secili që jeton në tokë do të di të duhej të angazhohej për të kontribuar në përmirësimin e situatës në të cilën gjendet toka sot. Toka, fatkeqësisht vazhdon të jetë e ndotur, vazhdon të jetë e trajtuar keq si prej qytetarëve por në anën tjetër vazhdon angazhimi i institucioneve të cilat e kanë për detyrë që t’i përmirësojnë kushtet që këto vende të jenë më të mira. Duhet t’i thërrasim ndërgjegjes secili dhe të kujdesemi për mjedisin ku ne jetojmë sepse nëse vazhdojmë në këtë formë me të vërtetë dikur do të jetë shumë vonë”, tha Hasanaj.
Gent Mehmeti përfaqësues e kompanisë “Radix”, kërkoi që edhe kompanitë tjera të kontribuojnë dhe të angazhohen për një mjedis më të pastër.
“Për ne si “Radix” ka qenë shumë me rëndësi që të paktën një ditë brenda vitit të kontribuojmë në të mirë të mjedisit tonë. Për ne është me rëndësi me i pa edhe kompanitë e tjera dhe me i ofru me na u bashkëngjitë në aksione të tilla. Ka rëndësi që vendi ku ne jetojmë, Prishtina me qenë vend i pastër dhe i mirë”, tha ai.