“Let’s Do It Kosova” vrapon e pastron rreth MMPH-së dhe stadiumit të Prishtinës

Prishtinë | 01 Nën 2018 | 16:59 | Nga Emine Shehu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Organizata “Let’s Do It Kosova” dhe Ambasada e Suedisë në Prishtinë kanë organizuar aksion pastrimi rreth hapësirave të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), si dhe përreth stadiumit të Prishtinës.

Në këtë aksion kanë marrë pjesë zyrtarë të Ambasadës së Suedisë, të MMPH-së dhe tifozët e Klubit të Prishtinës.

Për dallim nga aksionet e tjera të pastrimit, Let’s do it Kosova, sot ka pastruar këtë zonë edhe me vrapim, praktikë të cilën drejtuesi i organizatës Luan Hasanaj, thotë që e ka marrë nga Ambasada Suedeze.

Po ashtu janë ndarë edhe mbeturinat në bazë të llojit të tyre në qese të ndryshme.
Qesja e kaltër ishte për plastikë, e vjollcja ishte për metale dhe e zeza për mbeturina që nuk mund të riciklohen.

Ambasadorja e Suedisë, Karin Hernmarck Ahliny, ka dhënë tri mesazhe për kosovarët, duke iu drejtuar se duhet t’i kushtojnë më shumë rëndësi shëndetit dhe lëvizjeve fizike, raporton Ekonomia Online.

“Është një mënyrë e të bërët ushtrime, kur sheh një mbeturinë në tokë, e merr dhe e fut në çantën tënde, dhe kështu bën edhe ushtrime. Është mirë për ju, por po ashtu edhe për mjedisin tuaj. Kjo është shtëpia juaj dhe ju ndiheni më të lumtur kur shtëpia juaj është më e pastër. Mendoni për peshën tuaj, reduktoni peshën tuaj dhe kujdesuni për peshën tuaj”.

Besmir Kokollari, koordinator i grupit teknik të Task Forcës në kuadër të MMPH-së, ka thënë se pjesëmarrja e rinisë është model për të tjerët, raporton EO.

“Rinia e sotme që po bashkohet në aktivitete të tilla për ta pastruar Kosovën është një model për t’u referuar nga të tjerët se si është arritur të bëhet një iniciativë kaq e madhe, të kthejë vëmendjen tonë si ministri por edhe të qeverisë, komunitetit të bizneseve dhe të gjithë të të rinjve”.

Luan Hasanaj nga “Let’s Do It Kosova” tha se do të vazhdojnë pastrimin deri në vetëdijesimin e qytetarëve.

“Sot është një aktivitet pak më inovativ, bashkë me Ambasadën Suedeze, MMPH-në dhe shumë vullnetarë. Ne do të vazhdojmë derisa qytetarët të vetëdijesohen se nuk duhet me hedhë mbeturina ashtu siç bëjnë zakonisht në këtë rrugë”.

“Ideja ka ardhur prej kërkesës së Ambasadës Suedeze. Këta kanë një aktivitet rregullisht me stafin e vet, por kur e kanë pa fushatën tonë, na kanë kontaktuar dhe kanë shprehë dëshirën që të bashkohen me ne dhe ta bëjmë një aktivitet pak më të madh”.

Të ngjashme