Komunat të kënaqura me projektin “Ta pastrojmë Kosovën”

Prishtinë | 20 Dhj 2018 | 11:48 | Nga Emine Shehu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Organizata “Let’s Do It Kosova” ka mbajtur konferencën e fundit rajonale në lidhje me të arriturat gjatë fushatës “Ta pastrojmë Kosovën”, me përfaqësues nga rajoni i Pejës, Gjakovës, Istogut dhe Junikut.

Luan Hasanaj, drejtor i organizatës “Let’s Do It Kosova”, ka siguruar se të gjitha të dhënat nga ta do të adresohen në institucione përkatëse, raporton Ekonomia Online.

“Mundemi me ju siguruar se krejt ato të dala nga kjo tryezë t’i adresojmë atje ku duhet dhe në të ardhmen të mos përsëriten ato probleme, vështirësi. Sepse ne e dimë se kemi me u përballë me ndotje të ambientit sërish”, tha Hasanaj.

Ndërsa, Besmir Kokollari, koordinator teknik i Task Forcës në kuadër të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë, tha se aksioni tre mujor ka kaluar pritshmëritë e ministrisë.

“Kjo çka është arrit që z. Hasanaj me ekipin e tij ka arrit me kthyer vëmendjen e Qeverisë që të ndikojmë që të kemi mjedis të pastër. Me këtë Task Forcë kemi arritur synimin tonë të heqim një numër të madh të mbeturinave. Ju bëj thirrje inspektorëve të jenë të pa kompromis në gjoba për ata që e ndotin ambientin”, tha Kokollari.

Në këtë takim ishin pjesëmarrëse përfaqësues të komunave.

Enver Rugova, përfaqësues nga komuna e  Istogut, ka thënë se Istogu është në nivel të kënaqshëm sa i përket pastrimit të mjedisit që është bërë në këto tre muaj.

“Aksioni ka qenë i suksesshëm, ka qenë masivitet i duhur. Kemi filluar edhe me deponitë ilegale. Organizata kallxo na ka sjellë shënime se janë 48 deponi të mëdha ilegale dhe mbetje inerte. Si komunë e kemi angazhuar një kompani që e ka bë pastrimin ditor dhe në fund ka pastruar më shumë se 30 deponi. Në bashkëpunim me “Let’s Do It Kosova” në bashkëpunim me Qeverinë, aksioni ka qenë i frytshëm sa i përket komunës sonë. Hajrin ia kemi pa, së paku tek vetëdijesimi sepse tek deponitë që janë eliminuar, shumica nuk po përsëriten”, tha Rugova, raporton EO.

Kryetari i komunës së Junikut, Agron Kuçi, ka vlerësuar se aksioni i pastrimit në Istog ka qenë impresionues, ndërsa ka thënë se kapacitetet recikluese edhe 20 vjet pas luftës nuk po mund të krijohen.

“Në komunën e Junikut janë pastruar 22 pika, të cilat nuk ekzistojnë më. Në këtë kuadër kemi arritur të hartojmë dhe kalojmë një vendim të rëndësishëm për ujërat me mbetje inerte. E kemi lokalizuar vendndodhjen e tij. Kemi vazhduar edhe me rrjet të ujërave të zeza.  Kemi nda buxhet ekskluziv për kamera edhe për siguri edhe për mbrojtje të ambientit në pika të caktuara. Konsideroj se në këtë drejtim, kemi emëruar inspektorë shtesë, kemi emëruar edhe aktivistë të tjerë për shqiptimin e gjobave mandator”, tha Kuçi.

Koordinator lokal i Gjakovës, Fatos Deda, ka thënë se kanë pasur nder raportet më të mira me policinë.

Deda tha se ka mungesë buxheti, për të cilin kërkoi rritje, ndërsa tha se po kanë probleme me deponitë e eliminuara por që prapë po krijohen nga qytetarët.

“Në Gjakovë këtë aktivitet të gjobitjes e kemi nisë që para tri vjetëve. Gjakova i ka të emëruar 19 inspektorë, inspektorë mund të jenë edhe qytetarët. Deri më tani janë shqiptuar diku 100 gjoba. Puna ka ngecë tek policia sepse normalisht kanë punë të tjera dhe është normale. Kapacitetet i kanë të limituara. Problemi tjetër është mungesa e buxhetit. Prioriteti i qeverisë e dimë që nuk është mjedisi. Kur nuk ke buxhet nuk ke si.  128 deponi të mëdha ose të vogla janë eliminuar, nga ato një ton deri në 60-70 ton. Me aktivistë 7000 qese janë grumbulluar”, tha Deda.

Artan Bashdari, përfaqësues koordinator lokal i mjedisit, nga Peja, po ashtu theksoi problemin për rikrijimin e deponive ilegale.

“Janë hequr 14 deponi inerte me një tonazh të madh, ka pas angazhim edhe nga KFOR-i italian. Në disa deponi edhe pas pastrimit, prapë problemi njëjtë, si mungesë e kontejnerëve”, tha Bashdari.

Përfaqësuesja nga komuna e Rahovecit, Bjondina Ramaj, ka thënë se ka mungesë buxheti ndërsa ka konsideruar se për çështjen e  rikrijimit të deponive ilegale, duhet të bëhet një plan me zgjidhje afatgjate.

“Nuk ka sasi të mëdha deponi, kemi largu diku 23 deponi, nuk ka mbet edhe shumë deponi. Qysh në maj është vendimi për caktimin e lokacionit për mbeturina inerte. Sa i përket deponive, janë largu një pjesë e madhe por ato po ripërsëriten. Mendoj se duhet të bëhet një plan më afatgjatë”, tha Ramaj, raporton EO.

Kapiteni i policisë në Istog, Enver Gashi, ka thënë se policia ka qenë mese e angazhuar gjatë aksioneve.

“Gjatë kësaj fushate kemi qenë edhe ne të angazhuar. Gjatë kësaj kohe, prezent nëpër këto fushata kanë qenë 36 zyrtarë policorë. Nuk kemi pas asnjë incident të raportuar”, tha Gashi.

Drejtori i policisë në Gjakovë, Ahmet Hasi, ka thënë se policia ka bërë çka qenë e mundur për të ndaluar problemet në komunikacion gjatë aksioneve, tha Gashi.

“Ndihma e policisë nuk është edhe aq e madhe por në nivel qendror jemi organizuar që projektin e juaj ta përkrahim maksimalisht.  Ky projekt ka qenë i qëlluar dhe e përkrahim me zemër. Gjoba nuk kemi lëshuar shumë por më shumë me vërejtje të vëmendjes që ka pas rezultat”, tha Hasi.

Të ngjashme