Klubi i njohur gjerman do të mundohet ta transferojë yllin kosovar sapo të hapet afatin kalimtar dimëror
Bayer Leverkuseni ishte njëri prej klubeve të shumta që donin ta transferonin gjatë verës Milot Rashicën.
Mirëpo, në fund yllit kosovar i dështuan të gjitha opsionet dhe mbeti në Werder Bremen, shkruan Gazeta Express.
“Farmaceutikët” e kërkuan 24 vjeçarin në formë huazimi, por klubi i tij aktual insistonte vetëm për ta shitur përfundimisht.
Drejtori sportiv i Leverkusenit, Rudi Voller i ka zbuluar ato që ndodhën në ditët e fundit të afatit kalimtar në mes të palëve.
“Ne donim ta merrnim, por Werderi insistonte qe një kohë vetëm për ta shitur”, thotë ish-përfaqësuesi gjerman.
Dy klubet nuk ishin dakord sa i përket mënyrës së transferimit të lojtarit.
“Vetëm në ditët e fundit na është prezantuar një opsion, por çështja mbeti e vështirë dhe e ndërlikuar. Në fund nuk arritëm marrëveshje. Thjesht, nuk funksionoi”, shtoi Voller për mediumin gjerman “Kicker”.
Sidoqoftë, Kuqezinjtë nuk janë dorëzuar ende për futbollistin vushtrrias.
Ish-futbollisti i Vushtrrisë dhe Vitesses mund të përfundojë në këtë klub në afatin kalimtar të janarit.
“Të tria palët ishin të zhgënjyera pas dështimit të transferimit. Mirëpo, pas dy muajsh e gjysmë do të hapet afati kalimtar. Ne nuk e kemi hequr Rashicën nga opsioni. Por, në të njëjtën kohë nuk është e thënë se do të arrijë në janar, nuk është e lehtë të ndodh”, përfundoi Voller.
Rashicën e donte më së shumti Aston Villa gjatë verës, por gjithçka dështoi në ditën e fundit të afatit kalimtar.
Atë e pëlqente një kohë edhe Leipzigu.
Miloti i realizoi 8 gola në 28 ndeshje kampionale sezonin e fundit me Werderin, duke e ndihmuar që ta evitojë rënien nga Bundesliga.
Futbollisti ofanziv i krahut pritet të largohet nga Bremeni në afatin kalimtar të janarit.