Drejtuesi i Lëvizjes Vatra, Kushtrim Kadriu ka deklaruar se ka ardhur koha që çështja e Kosovës Lindore të dal në tavolinën e bisedimeve Kosovë-Serbi, duke vlerësuar se si zgjidhje afatgjate është shkëmbimi i territoreve të tri komunave në Mitrovicën e veriut me tri komunat me shumicë shqiptare.
Sipas tij, ka një kohë të gjatë që idetë për shkëmbime territoresh në mes të Kosovës dhe Serbisë vijnë në opinion edhe nga ana e faktorit politik relevant serb të cilat ide u hodhën në publik si ide për ndërrimit e territoreve në mes të Kosovës dhe Serbisë.
“Është moment i volitshëm që një herë e mirë të zgjidhet problemi në mes të shqiptarëve dhe serbëve në ballkan, e ku nyje e problemit është Kosova Lindore , përkatësisht komunat e Preshevës, Bujanocit e Medvegjës, të cilat në rast se vazhdojnë të mbetën të pushtuara nga ana e Serbisë, siç janë tani, nuk do të ketë stabilitet dhe rehati në Ballkan, dhe si të tilla do të jenë një bombë me sahat ku nga qasti në qast do të mund të shpërthej një destabilitet për politikën dhe sigurinë e gjithë Ballkanit. Idetë e tilla për shkëmbim territoresh duhet të shtyhen nga politikëbërja Kosovare si dhe ajo e faktorit ndërkombëtarë , nëse duan një regjion të qetë pasi që ka ardhur koha e zhvillimit të një jete të qetë për popullin e ballkanit në të mirë të kalimit të problemeve ndërfqinjësore. Duhet të ndodhë shkëmbimi i territoreve me Serbinë, duke pas parasysh se Zveçani, Zubin Potoku dhe Leposaviqi, juridikisht janë në administrim serb, ndërsa, tri komunat me shumicë shqiptare në Kosovën Lindore, janë të administruar me politikanë shqiptarë, por që janë më të prapambeturat në investim ekonomik dhe zhvillim nga qeveria Serbe”, thuhet në komunikatën e Lëvizjes Vatra.
Në të kundërtën sipas tyre, Kosova do t’i humb edhe veriun e Mitrovicës edhe Kosovën Lindore.