Kufizimi i lëvizjes së lirë të qytetarëve të Kosovës drejt Bosnje e Hercegovinës, është duke vazhduar, edhe pse në kuadër të Procesit të Berlinit, me 3 nëntor 2022, janë nënshkruar marrëveshjet për njohje të ndërsjella të letërnjoftimeve, diplomave e dokumenteve të tjera. Kuvendi i Kosovës e ka ratifikuar Marrëveshjen për Lëvizjen e Lirë me letërnjoftime në Ballkanin Perëndimor, por një gjë e tillë, ende nuk është bërë nga ana e Bosnje dhe Hercegovinës.
Pavarësisht marrëveshjes për lirinë e lëvizjes ndërmjet dy vendeve, Kosovës dhe Bosnje e Hercegovinës, e cila buron nga Procesi i Berlinit, as kosovarët e as boshnjakët, nuk mund të udhëtojnë lirshëm nga Kosova për në Bosnjë e Hercegovinë dhe anasjelltas. Kjo për shkak se marrëveshja për lëvizje me letërnjoftime, nuk ka gjetur mbështetje nga të gjitha entitetet e Presidencës boshnjake.
Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Emilija Rexhepi, thotë për Radio Kosovën se përderisa etniteti serb në krye me presidentin e Republika Serpska, Milorad Dodik, e shkel marrëveshjen, ajo është në kontakt të vazhdueshëm me të gjithë politikanët boshnjakë që janë në qeveri si dhe me deputetë nga parti të ndryshme politike, të cilët janë të gatshëm që të votojnë dhe ratifikojnë marrëveshjen në Kuvendin e Bosnjës dhe ta njohin Kosovën si shtet të pavarur.
“Lobimi ynë me përfaqësuesit dhe kryetarin e Parlamentit të Bosnje e Hercegovinës është duke vazhduar. E kemi mbështetjen e përfaqësuesve të boshnjakëve dhe përfaqësueseve kroatë, dhe presim që edhe serbët ta kuptojnë se kjo marrëveshje, duhet të ratifikohet. Kjo duke e pasur parasysh se në bisedime me bashkësinë ndërkombëtare, ata thonë se janë faktorë stabiliteti, pajtimi dhe nënshkruajnë marrëveshje, por kur kthehen në Bosnje i bllokojnë proceset në fjalë”, thotë Rexhepi.
Se a pritet që kjo marrëveshje të vendoset në një të ardhme të afërt në rend dite në Këshillin e Ministrave në Bosnje dhe Hercegovinë, ende nuk është e sigurt. Por, zëvendëskryeministrja Rexhepi thotë se në bazë të bashkëbisedimeve të saj me autoritetet boshnjake, fillimisht procesi duhet të kalojë në Qeveri, e pastaj të votohet nga deputetët në Parlamentin e Bosnje dhe Hercegovinës.
“Ne bëjmë presion të vazhdueshëm te Qeveria e Bosnje e Hercegovinës. Ministri Konakoviq ka premtuar se marrëveshjen do ta fusë në rend dite. Gjithashtu, bëjmë presion të vazhdueshëm edhe te përfaqësuesit boshnjakë në parlament, por njëkohësisht kemi kërkuar edhe nga presidenti turk, RexhepTaip Erdogan, që të bëjë presion te përfaqësuesit e Republikës Srpska, që t’i zbusin qëndrimet e tyre rreth kësaj çështjeje”, tha Rexhepi.
Mosratifikimi i marrëveshjes dhe regjimi i vizave, i ka penguar udhëtimet e qytetarëve boshnjakë që jetojnë në Kosovë, por që kanë prejardhje nga Bosnja. Rasim Demiri, kryetar i Koalicionit “Vakat”, thotë për Radio Kosovën se edhe atij, dy herë i është refuzuar viza për udhëtim në Bosnje e Hercegovinë.
“Më besoni, unë personalisht konsiderohem si viktimë e regjimit të vizave, sepse dy herë kam tentuar që të marrë vizë dhe e njëjta më është refuzuar nga autoritetet e Bosnjës dhe Hercegovinës. Besoni, është proces shumë i ndërlikuar sepse kërkohen shumë dokumente. Në Bosnje, për herë të fundit kam qenë në vitin 2015-16, edhe atë, jo si përfaqësues i boshnjakëve e as si Rasim Demiri, por ishte një vizitë parlamentare, ku vizat na janë lëshuar në Brukse”, deklaroi ai.
Ndërkohë, Sabina Cudiq, deputete boshnjake në Parlamentin e Bosnje Hercegovinës, më herët i pati thënë Radio Kosovës se “Bosnja dhe Hercegovina ka një udhëheqje komplekse dhe për atë Republika Srpska refuzon edhe masat më të moderuara, siç është njohja e dokumenteve të udhëtimit, si e drejtë elementare për lirinë e lëvizjes.
“Fatkeqësisht, do ju gënjeja nëse do thosha se ka ndryshime domethënëse në politikën e jashtme të Bosnjës, përballë Kosovës. Megjithatë, po mundohemi që të sigurojmë që përmes Procesit të Berlinit, studentët dhe qytetarët e vendeve tona, të lëvizin lirshëm, diçka që unë personalisht jam dëshmitare, ku anëtarë të familjes sime që janë kosovarë, nuk mund të lëvizin. Ajo që shpresoj është që si hap i parë, të jetë normalizimi i raporteve ndërmjet vendeve tona. Kërkoj më shumë durim dhe mirëkuptim nga kosovarët që të kuptojnë se politika jonë e jashtme është delikate, sepse ka një koordinim me Republikën Serbe dhe me të gjithë mekanizmat e tjerë të spektrit politik që përbëjnë qeverinë. Në këtë kontekst, fatkeqësisht, nuk do të shohim përparim”, pati thënë Cudiq.
Liria e lëvizjes për kosovarët në Bosnje dhe Hercegovinë, vazhdon të bllokohet nga politikanët serbë të Bosnjës. Kur marrëveshja u nënshkrua, kryetar i Këshillit të Ministrave të Bosnje e Hercegovinës, ishte anëtari i partisë së Milorad Dodikut (SNSD) Zoran Tegeltija. Bosnje e Hercegovina nuk e njeh pavarësinë e Kosovës prandaj qytetarët e të dyja shteteve, nëse duan të udhëtojnë në shtetet përkatëse, obligohen që paraprakisht të pajisen me vizë hyrëse.