Lëvizja Feministe Studentore ka reaguar pas vendimit të Universiteti të Prishtinës “Hasan Prishtina” i cili ka pezulluar nga puna profesorin Xhevat Krasniqi, i cili dyshohet për ngacmim seksual ndaj disa studenteve të tij, raporton Ekonomia Online.
Anita Mjeku nga Lëvizja Feministe Studentore ka thënë se gjysma e komunikatës së UP-së merret me vendimin në fjalë, ku askund nuk u përmend ngacmimi seksual, i cili ishte vetë shkaku i procedurës së zhagitur të Këshillit dhe se gjysma tjetër mundohet të paraqes Këshillin e Etikës si viktimë e ndonjë presioni të padrejtë të ushtruar nga persona të ndryshëm brenda dhe jashtë UP-së.
“Jemi mbledh sot këtu në reagim ndaj vendimit të Universitetit të Prishtinës, përkatësisht rektorit dhe këshillit të etikës, vendim i cili vë në pah mangësitë strukturore dhe pafuqinë e Këshillit të etikës dhe kapaciteteve vendimmarrëse të të gjithë universitetit të Prishtinës. Pas sa e sa dëshmive, e sa e sa vajzave denoncuese që dolën publikisht kundër Xhevat Krasniqit, Këshilli i Etikës procedurën e vet të parregullt dhe të njëanshme e përfunduan me një gjysmë konsencion, i cili jo vetëm shkel rregulloren e universitetit, përkatësisht atë për ngacmime seksuale, përsëri, por ka për qëllim zhbërjen e presionit publik e jo të ngacmimit seksual në UP. Gjysma e komunikatës së UP-së merret me vendimin në fjalë, ku askund nuk u përmend ngacmimi seksual, i cili ishte vetë shkaku i procedurës së zhagitur të Këshillit. Gjysma e tjetër e saj mundohet të paraqes Këshillin e Etikës si viktimë e ndonjë presioni të padrejtë të ushtruar nga persona të ndryshëm brenda dhe jashtë UP-së duke i emëruar ato si sulme ndaj anëtarëve të këshillit. Me këtë, Këshilli harroi të përmend parregullsitë e procedurës së tyre, të vazhduara ndër muaj, e të cilat jo vetëm që nuk u dënuan por ishin edhe një mbivendosje e papërligjur dhe e dhunshme që qoi në mbajtjen në punë e një rreziku potencial ndaj studentëve me muaj të tërë”, ka thënë ajo.
Mjeku ka shtuar se duke e marrë vendimin për pezullim të punës jo në baza të akuzave brenda UP-së, por në përkatësitë e institucioneve të jashtme shtetërore, Këshilli i Etikës e hoqi përfundimisht petkun e një organi që përmbush qëllimin e sjelljes para përgjegjësisë së ngacmuesve.
“Duke e marrë vendimin për pezullim të punës jo në baza të akuzave brenda UP-së, por në përkatësitë e institucioneve të jashtme shtetërore, Këshilli i Etikës e hoqi përfundimisht petkun e një organi që përmbush qëllimin e sjelljes para përgjegjësisë së ngacmuesve, dhe tregoi fytyrën e tij të vërtetë. Duke e shkelur nenin 11 pikën 7 të rregullores së UP-së për ngacmime seksuale, duke mos e marrë vendimin në mënyrë të pavarur nga procedurat e jashtme. Citojmë nenin në fjalë: Universiteti i Prishtinës do te zbatoj masat dhe procedurat disiplinore për rastet e ngacmimit dhe ngacmimit seksual, pavarësisht nga zhvillimi i procedurës penale për rastin e njëjtë. Parregullsitë po vazhdojnë pavarësisht dijenisë së këshillit, si edhe stafit akademik e rektoratit në përgjithësi, të numrit të tejskajshëm të ngacmuesve të pa denoncuar në UP. Sot Universiteti i Prishtinës e humbi mundësinë që të vendosë një precedenti të rëndësishëm të konstatimit të ngacmimit seksual dhe caktimin e masave ndaj ngacmuesit”, ka thënë ajo.
Aktivistja Mjeku ka ftuar studentet dhe studentët, por edhe stafin akademik t’u bashkohen siç ka thënë ajo në rezistencë të përbashkët.
“Njohim guximin dhe kontributin e 27 studenteve gjatë tërë kësaj kohe, që përkundër qasjes skandaloze të UP-së, raportuan rastin dhe vazhduan me këmbëngulje të kërkojnë drejtësi nga UP. Gjithashtu i inkurajojmë të gjitha vajzat dhe gratë të raportojnë ngacmimin seksual brenda Universitetit të Prishtinës, që ne si Levizja Feministe Studentore, do të qëndrojmë gjithnjë në solidaritet me ju. Si përfundim, theksojmë se ky vendim është i pa pranueshëm për ne, dhe është ikje nga përgjegjësia. Rrjedhimisht, ne thërrasim të gjithë studentet dhe studentët, por edhe stafin akademik te na bashkohen. Ne nuk ndalemi. Rezistenca është e përbashkët”, ka përfunduar ajo.