Lëvizja Fol: Veprimi i deputetëve të Komisionit të sigurisë bie ndesh me praktikën e mëhershme të anëtarëve të Komisionit të legjislaturave të kaluara

Prishtinë | 18 Maj 2021 | 10:22 | Nga Ekonomia Online

Lëvizja Fol përmes një reagimi kanë shprehur shqetësimin për vendimin e fundit të Komisionit i cili përcakton që secili anëtar i Komisionit për çështje të sigurisë dhe të mbrojtjes të jetë pjesëmarrës në Panelin Përzgjedhës për vlerësimin dhe përzgjedhjen e listës së ngushtë të kandidatëve për zgjedhjen e Komisionerit/es të Agjencisë për Informim dhe Privatësi (AIP).

“Ky veprim i deputetëve të këtij Komisioni, përveç që bie ndesh me praktikën e mëhershme të vendosur nga anëtarët e Komisionit të legjislaturave të kaluara, krijon një precedent negativ që do të ndikonte drejtpërdrejt mbi legjitimitetin e tërë procesit të përzgjedhjes së Komisionerit të Agjencisë për Informim dhe Privatësi”, thuhet tutje në reagim.

Reagimi i plotë:

I gjithë Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe të Mbrojtjes të mos shërbejë si Panel Përzgjedhës për zgjedhjen e Komisionerit/es të Agjencisë për Informim dhe Privatësi (AIP)
Ne, organizatat e poshtëshënuara, jemi duke e monitoruar për herë të katërt procesin e përzgjedhjes së Komisionierit/es të Agjencisë për Informim dhe Privatësi (AIP), duke kontribuar në vazhdimësi në zhvillimin e një procesi të drejtë dhe parandalimin e zgjedhjes së kandidatëve jo-meritorë. Përmes këtij reagimi shprehim shqetësimin tonë për vendimin e fundit të Komisionit i cili përcakton që secili anëtar i këtij Komisioni të jetë pjesëmarrës në Panelin Përzgjedhës për vlerësimin dhe përzgjedhjen e listës së ngushtë të kandidatëve për zgjedhjen e Komisionerit/es të Agjencisë për Informim dhe Privatësi (AIP). Ky vendim u mor në mbledhjen e mbajtur me 20.04.2021 me 6 (gjashtë) vota PËR dhe 2 (dy) vota KUNDËR.
Përzgjedhja e këtij Paneli është rregulluar me Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, përkatësisht me nenin 60 të këtij ligji.
Sipas paragrafit 5 të këtij neni, Paneli Përzgjedhës ia dorëzon Komisionit përkatës listën e kandidatëve për Komisioner/e, për të proceduar pastaj me zgjedhjen e listës së ngushtë. Propozimi i Komisionit përmban arsyetimin përse Paneli u ka dhënë përparësi disa kandidatëve, në krahasim me kandidatët tjerë.
Kjo nënkupton që në rastin konkret, listën e ngushtë të kandidatëve për Komisioner/e të Agjencisë për Inforomim dhe Privatësi, Paneli Përzgjedhës do t’ia dorëzonte dhe arsyetonte vetvetes.
Ky veprim i deputetëve të këtij Komisioni, përveç që bie ndesh me praktikën e mëhershme të vendosur nga anëtarët e Komisionit të legjislaturave të kaluara, krijon një precedent negativ që do të ndikonte drejtpërdrejt mbi legjitimitetin e tërë procesit të përzgjedhjes së Komisionerit të Agjencisë për Informim dhe Privatësi.
Bazuar në përfaqësimin politik të anëtarëve të këtij Komisioni, përbërja e Panelit Përzgjedhës nga secili anëtar i këtij Komisioni do të krijonte situatë presupozuese të përzgjedhjes së listës së ngushtë të kandidatëve për Komisioner/e të Agjencisë për Informim dhe Privatësi duke u bazuar në prapavija politike të kandidatëve, dhe jo duke u bazuar në përgatitjen e tyre profesionale.
Prandaj, duke marrë parasysh parimet e shëndosha demokratike të vendosjes dhe procedurat analoge parlamentare, bëjmë thirrje të tërheqjes të këtij vendimi, në mënyrë që në Panelin Përzgjedhës të kandidatëve për pozitën e Komisionerit të mos jenë të gjithë anëtarët e Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, por në Panel të përzgjedhet nga një anëtar për secilin subjekt politik/grup parlamentar të përfaqësuar në Komision.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme