Kryetari i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati, ka mbajtur konferencë për medie, në të cilën ka folur për qëndrimet e kësaj lëvizjeje rreth bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë dhe çështjen për korrigjim kufijsh.
Ai ka thënë se Kosovës po i mungon një platformë politike, raporton Ekonomia Online.
“Bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë pritet të futen në një fazë kritike që nga muaji shtator i këtij viti. Kosovës i mungon platforma politike dhe rrjedhimisht i mungon një konsensus politik i plotë. I tërë debati po zhvillohet se kush do t’i udhëheqë këto bisedime, ndërsa aspak se çfarë përmbajtje duhet të kenë ato bisedime”.
Lëvizja për Bashkim ka ftuar të gjitha partitë politike që ta hartojnë një platformë të përbashkët politike, e cila, sipas Muratit, do të mundësonte caktimin e konsensusit të brendshëm dhe do të ndërtontë një pozicion në raport me Serbinë dhe bashkësinë ndërkombëtare, raporton EO.
“Ne u bëjmë ftesë të gjitha partive politike që urgjentisht të ulen dhe të hartojnë një platformë të përbashkët politike. Kjo platformë do të duhej të jetë mundësia më e mirë për ta caktuar konsensusin e brendshëm, për të ndërtuar një pozicion në raport me Serbinë, por edhe në raport me bashkësinë ndërkombëtare”.
Për çështjen e korrigjimit të kufijve, Murati ka thënë se Lëvizja për Bashkim frikësohet që për Kosovën po përgatitet skenar i keq që mund të përfundojë me autonomi politiko-territoriale për serbët në Kosovë, raporton EO.
“Zhurmat e fundit për korrigjim kufijsh na bëjnë të frikësohemi se Kosovës po i përgatitet skenari më i keq, ai i instalimit të asociacionit të komunave serbe, i cili në rrethana të një dialogu politik, mund të përfundojë me konsekuenca ekzekutive, dhe një autonomi politiko-territoriale për serbët në Kosovë. Kjo zgjidhje e dëmton rëndë funksionalitetin e Kosovës, i cili edhe pa këtë asociacion është i dëmtuar për shkak të shkëputjes, e posaçërisht pakica serbe ka privilegje juridike të cilat i shfrytëzon në vazhdimësi për ta bllokuar shtetin e Kosovës”.
“Ne frikësohemi se fundi i kësaj zgjidhjeje, pas disa vitesh apo dekadash, vërtet do të jetë ndarja e Kosovës, dhe aty ku po synon Serbia, te lumi Ibër dhe pas disa dekadash ne do ta humbim ekzistencën tonë fizike të shqiptarëve në Kosovën Lindore”.
Murati tha se çështja e shqiptarëve në Kosovën Lindore duhet të futet në platformën politike për bisedime me Serbinë.
“Çështja e shqiptarëve atje duhet të futet në platformën politike për bisedime me Serbinë. Është moment jetik për përfaqësuesit politikë të Kosovës, që në këto bisedime dhe për serbët në Kosovë, por edhe për Serbinë dhe për shqiptarët në pozitën e tyre që jetojnë nën sundimin serb”.
Kryetari i kësaj lëvizjeje gjithashtu tha se shqiptarët në Kosovën Lindore duhet të bashkohen me Kosovën, ndërsa serbët në komunat veriore të bashkohen me Serbinë, raporton EO.
“Aty ku shqiptarët janë shumicë në tri komunat e Kosovës Lindore dhe kanë vazhdimësi territoriale me Kosovën të kenë të drejtën të bashkohet me Kosovën dhe aty ku serbët në tri komuna veriore janë shumicë dhe kanë vazhdimësi territorial me Serbinë të kenë të drejtën të bashkohen me Serbinë”.