Lëvizja për Bashkim kritikon Qeverinë për mungesë të transparencës në dialog: Kurti ta njoftojë opinionin publik me planin franko-gjerman

Prishtinë | 19 Tet 2022 | 12:16 | Nga Ekonomia Online

Mungesa e transparencës në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian në mes të Kosovës dhe Serbisë, sipas partisë politike kosovare Lëvizja për Bashkim është bërë një problematik i madh për opinion publik.

Lëvizja për Bashkim e sheh si problematike edhe faktin që Qeveria e Kosovës fillimisht ka injoruar kornizën e re të dialogut  – e përpiluar pas angazhimit të këshilltarëve për politikë të jashtme të presidentit francez, Emmanuel Macron dhe kancelarit gjerman, Olaf Scholz, të cilën Albanian Post e publikoi me 18 shtator – e më pastaj e ka pranuar ekzistencën e saj, por pa thënë asnjë fjalë të vetme për përmbajtjen e saj.

“Lëvizja për Bashkim, konsideron se kryeministri Kurti duhet ta njoftojë opinioni publik për kornizën e ofruar të marrëveshjes. Ai dhe qeveria e Kosovës duhet ta shfrytëzojnë këtë moment që, duke e vendosur në qendër parimin e reciprocitetit, të gjendet një zgjidhje e qëndrueshme edhe për Kosovën Lindore, dhe për veriun e Kosovës”, thuhet në komunikatë për media.

Lëvizja Vetëvendosje, sipas Lëvizjes për Bashkim , sa ishte në opozitë ka kritikuar zëshëm rivalët e saj pikërisht për mungesë të transparencë në dialog, por tani po injoron plotësisht opinionin publik, duke pohuar se plani ekziston, po se ajo nuk do të bëhet publike.

“Përndryshe, me këtë qasje të qeverisë, – ku një herë e trajtonte dialogun si prioritet të shtatë a të tetë, e tani e ka prioritet të parë, por duke e mbajtur në fshehtësi procesin, – mund të jemi dëshmitarë të marrëveshjeve të cilat nuk i zgjidhin problemet themelore në mes të dy vendeve, duke i shtyrë ato dhe, si pasojë, duke vazhduar ta mbajnë Kosovën në një gjendje të pafavorshme status quo-je”.

Të dielën e 18 shtatorit, Albanian Post publikoi dokumentin katër faqesh i cili paraqiste planin në kornizën e re për marrëveshje në mes të Kosovës e Serbisë, i përpiluar pas angazhimit të këshilltarëve të presidentit Emmanuel Macron dhe kancelarit Olaf Scholz.

Aty thuhet se në vitin 2023 duhet të nënshkruhet marrëveshja e dytë për normalizim të marrëdhënieve, pas asaj të vitit 2013, me të cilën Serbia faktikisht e pranon realitetin e Kosovës shtet të pavarur, por nuk e njeh formalisht.

Në një fazë të mëvonshme, hipotetikisht pas 10 vitesh, atëherë kur BE-ja është e gatshme të zgjerohet dhe ta përfshijë Ballkanin perëndimor, arrihet marrëveshja për njohje të ndërsjellë, si parakusht i të dy shteteve për anëtarësim në BE.

Me marrëveshjen e vitit të ardhshëm (nëse pranohet propozimi) Kosovën e pranojnë edhe pesë shtetet që akoma nuk e kanë njohur të Bashkimit Evropian, kurse Serbia do të përfitojë një ndihmë masive financiare, asistencë ekonomike dhe do njihet si fuqia e rajonit.

“’Korniza e re’ të cilën e publikoi Albanian Post është propozimi i ri i ardhur direkt nga përfshirja e Macron e Scholz në procesin e dialogut, sepse siç thuhet në dokument ‘Kosova e Serbia në vete nuk do të mund ta zgjidhin kurrë problemin’”.

Dokumenti shpjegon logjikën prapa kornizës së re, përmban vizionin 10 vjeçar të zgjidhjes së problemit dhe jep një “makro-perspektivë”.

Përbëhet nga hyrja dhe më pas është i ndarë në tri segmente bashkë me tre nën-titujt që përmbajnë 13 pika.

Të gjitha segmentet shpjegojnë të ashtuquajturën “kornizën e re”, e cila u është prezantuar Albin Kurtit e Aleksandër Vuçiç-it.

Propozimi në fund parasheh edhe si të vazhdohet tutje nëse Kosova dhe Serbia nuk pranojnë këtë propozim.

Të ngjashme