Lëvizja për Drejtësi ka mbajtur konferencë për medie me temën “Emigrimi problem serioz për qytetarët”, gjatë të cilës kërkuan dorëheqje të qeverisë aktuale me arsyen se kjo qeveri ka kapur shtetin, raporton Ekonomia Online.
Kryetari i kësaj partie, Sylejman Çerkezi, tha se zgjidhje e vetme që të dilet nga situata ku të rinjtë po largohen dhe nepotizmi, janë zgjedhjet e parakohshme që do t’i jepnin vendit mundësi të reja.
“Ky kalvar qeverisjesh të papërgjegjshme vrau shpresën e atyre një milion refugjatëve të cilët fill pas lufte në një kohë rekord u kthyen për të ndërtuar jo vetëm shtëpitë e djegura por edhe për të ndërtuar një jetë që kishin ëndërruar në këtë vend. Kushtet e vështira ekonomike vijnë si pasojë e keqpërdorimit dhe keqmenaxhimit të pushtetit. Është pabarazia shoqërore dhe mungesa e perspektivës ajo që po i largon këta njerëz nga Kosova. Është përdhosja e dinjitetit njerëzor ku një student i shkëlqyer nuk zë vend pune para fëmijëve të politikanëve apo të atyre që i rrinë afër si hienat që presin të marrin çfarë i lënë pas shefat e tyre”, tha ai.
Çerkezi tha se lista e faktorëve të mjerimit të qytetarëve është tepër e gjatë por të gjithë e dinë se shkaku kryesor ka qenë punësimi nepotik e loja politike e jo punësimi meritor.
“Mundësitë për punësim në sektorin privat dalin të jenë deficitare sepse të rinjtë nuk orientohen në shkollimet profesionale. Arsyeja është se mungon besueshmëria për një të ardhme me të ardhura të mjaftueshëm për jetesë normale. Kur Millosheviqi largoi mijëra qytetarë në kohë të luftës, unë shtroj pyetjen: Kush janë millosheviqët që sot po largojnë qytetarët nga vendi”, tha ai.
“…Brenda 10 vitesh këtë vend e braktisën për një jetë më të mirë 20 për qind e popullsisë. Shtrohet pyetja me çfarë arritjesh po e arsyeton punën kjo qeveri? Pa reshtur patëm premtime elektorale për përmirësim jetese apo jetesë më kualitative, vende pune, rritje buxhetore, shërbime shëndetësor cilësore, arsimi bashkëkohor, anëtarësim në BE,NATO E OKB e plot fjalë si flluska sapuni. Kastat politike uzurpuan e po vazhdojnë pangopshëm të uzurpojnë jo vetëm pozitat me të gjithë aksesorët përcjellës por tashmë kanë uzurpuar edhe shpresën për jetë dinjitoze në këtë nën qiell”.
Ai tha se zgjidhja e vetme për të dalë nga kjo situatë janë zgjedhjet e parakohshme që do të sjellin një qeverisje dhe një mentalitet tjetër.
“Zgjidhja e vetme është zgjedhje të parakohshme sepse do ofronin shpresë që sistemi i kapur të ndryshojë me një mentalitet të ri të një qeverisje të re. Verbëria e pavëmendjes për shkak të hallit tek kafshata e gojës nuk i lë mundësi e as hapësirë që qytetari të merret me hallkat e zinxhirit abuziv e korruptiv. Këtë mjeshtëri të zhvendosjes së vëmendjes nga problemet akute e kanë trashëguar me shumë zotësi të gjithë kryeministrat e vendit. Ende po vazhdojmë të dëgjojmë “konsolidim shteti” ndërkohë që themi se jemi të gatshëm të bëhemi pjesë e atij konglomerati shtetesh që këtë frazë e kanë shumë të largët”, tha ai, raporton EO.