Dje në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ka thënë se javën e ardhshme në Beograd, ministrat e 6 shteteve të Ballkanit Perëndimor do të nënshkruajnë marrëveshje për heqje të tarifave roamingut deri në korrik të vitit 2021.
Lluka ka thënë se gjatë muajit prill do të përzgjidhet kompania për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”. Por, kjo temë bëri që diskutimi ndërmjet kabinetit qeveritar të vazhdojë pa zë, pasi u ndalën mikrofonat.
Lëvizja Vetëvendosje, përmes një publikimi në Facebook, thotë se në një akt të paprecedent në mbledhjen e djeshme të Qeverisë u mbyllën mikrofonat kur u prezantua një informatë për kontratën e dëmshme me ContourGlobal.
Qeveria e Kosovës, Kryeministri Haradinaj, sipas VV-së, e privoi publikun në Kosovë nga të dhënat për një çështje themelore siç është ajo e ndërtimit të Termocentralit të ri.
“Ky projekt nuk kalon. Qeveria bën mirë të tërhiqet para se të jetë vonë dhe të gjenden në procese gjyqësore secili përgjegjës. Aktualisht Ministria e Ambientit veçse është paditur mbi dhënien me shkelje të pëlqimit mjedisor”, thotë VV-ja.
Më poshtë, gjeni postimin e plotë të VV-së në lidhje me marrëveshjen me Contour Global, dhe të këqijat që sjellë kjo marrëveshje sipas tyre:
1. 1.3 miliardë për 500MW [Kosova e Re] krahasuar për shembull me 210 milionë për 600 MW, [Rindërtimi i tre blloqeve të TC Kosovës A] – Kostoja mesatare e një blloku plotësisht të ri prej 1MW të energjisë elektrike nga qymyri, në botë, është rreth 1.4 milionë €/MW përderisa ContourGlobal na ofron 2.6 milionë/MW.
2. 80€-96/MW çmimi i garantuar i blerjes nga Contour Global, krahasuar me 30€/MW nga KEK – me kontratën e re qeveria i garanton çmimin prej 80€ deri 96€/MW në vend se çmimi të jetë i rregulluar nga tregu në momentin e blerjes. Sa për ilustrim KEDS sot importon energjinë elektrike me çmim prej 60€-80€.
3. Norma e kthimit prej 18.5% dhe garantimi i kredive nga Qeveria e Kosovës – Në kushte të ekonomisë së tregut norma e kthimit duhet të jetë pjesë e rrezikut që e merr çdo investitor, ndërsa në këtë rast qeveria i jep garanci fitimi pa asnjë rrezik ContourGlobalit. Qeveria merr edhe rrezikun e pagesës së kredisë për ContourGlobal po qe se ai dështon ta paguaj kredinë.
4. Rritja e tarifave të energjisë elektrike për konsumatorë deri në 80%– Sipas analizave të ndryshme të pavarura përfshirë Zyrën e Rregullatorit, ndërtimi i Termocentralit (TC) Kosova e Re do të ketë një impakt prej 45% deri në mbi 80% në rritjen e tarifave të energjisë elektrike. Këtë rritje do t’ia ngarkojnë qytetarëve qoftë drejtpërdrejtë përmes tarifave apo përmes buxhetit të Kosovës.
5. 5-7 miliardë € – Kostoja totale energjisë elektrike nga TC Kosova e Re për periudhën prej 20 vjetësh, Kosovës do t’i kushtojë 5-7 miliardë € (bazuar në të hyrat e lejuara përgjatë 20 viteve) – e njëjta sasi e energjisë nga blloqet e rindërtuara të TC Kosova ka kosto prej vetëm 2.2 miliardë euro.
6. Krijimi i ndërmarrjes fantome NKEC – Qeveria ka themeluar Ndërmarrjen e Re Kosovare të Energjisë “New Kosovo Energy Company [NKEC]” e cila do të blejë energjinë elektrike nga ContourGlobal me çmim prej 80€-96/MW e cila më pastaj do t’ia shes KESCO-s me çmim më të ultë se tregu. NKEC pra do të jetë “vrima e zezë” e buxhetit të Kosovës në dekadat e ardhshme.
7. Çrregullimi i tregut të energjisë elektrike në vend – Në kundërshtim me të gjitha praktikat evropiane dhe ligjeve në fuqi, qeveria siguron pozicion monopolistik për ContourGlobal.
8. Asnjë bllok i ngjashëm (si Kosova A) në rajon e më gjerë nuk është dekomisionuar por janë rindërtuar apo riparuar – Blloqet e rindërtuara të TC Kosova A do të kishin rritje të rendimentit mbi 20%, gatishmërisë me 7300 orë fuqi të plotë, siguri si bllok i ri dhe e sigurt në raport me mjedisin. Rindërtimi realizohet për 4 vite, angazhohen vetëm 210 milionë euro e fitohen 3 blloqe nga 200 MW me koogjenerim.