Shtatë herë kampioni i Botës, Lewis Hamilton, u shpall “Personaliteti i Vitit” në ceremoninë vjetore të mbajtur vizualisht të premten mbrëma nga Federata Ndërkombëtare e Automobilizmit.
Ngasësi i Mercedeseit po ashtu mori edhe çmimin “FIA President”, bashkë me Michael Schumacherin e Ferrarit, shtatë herë kampioni tjetër i Botës.
Për më shumë, Hamiltoni e pranoi edhe trofeun “Automobile Club d’Italia” pasi mori më së shumti pikë në tri gara të Formula 1 që u mbajtën në Itali.
Britaniku 35-vjeçar fitoi në Imola dhe Mugello dhe u rendit i shtati në Monza, duke vendosur rekord për xhirot më të shpejta në të tria pistat.
Hamiltoni shkoi në 95 fitore, ndërsa e barazoi rekordin me shtatë tituj, e që e bënë atë ngasësin më të suksesshëm në Formula 1 në të gjitha kohërat.
Punonjësit e Çmimit të Madh të Bahrejnit dhe anëtarët e stafit mjekësor, Ian Roberts dhe Alan va nder Merwe, po ashtu pranuan çmimin “FIA President” pasi ndihmuan vozitësin francez Romain Grosjean nga më e keqja, kur bolidi i tij gjatë garës në një përplasje, u nda në gjysmë.