Liam Payne ka reaguar për mikun e tij njëherësh bashkëpunëtorin në grupin “One Direction”, Harry Styles, i cili u kritikua për paraqitjen me një fustan në ballinën e Vogue të muajit dhjetor.
Këngëtari 27 vjeçar thotë se fotosesioni i krijuesit të “Watermelon Sugar” ishte i mrekullueshëm.
“Unë mendoj se ai është i lumtur me veten dhe i lirë të bëjë çfarë të dëshirojë”, ka thënë Payne në një intervistë me Roman Kemp në ‘Capital Breakfast’ në Mbretërinë e Bashkuar.
“Dhe mendoj se njerëzit nuk kanë nevojë të jenë kaq të shqetësuar për gjërat e të tjerëve”.
“Ka pasur shumë më shumë gjëra dhe më të rëndësishme se sa a është veshur ai mirë apo keq”, vazhdoi Payne.
Styles, 26 vjeç, shkaktoi një debat të ashpër në internet kur u shfaq në kopertinën e revistës amerikane Vogue me një fustan të markës ‘Gucci’.
Shumë nga njerëzit komentuan se fotosesioni i tij nuk ishte ‘burrëror’ dhe për atë se u shfaq me veshje femrërore.
Harry në anën tjetër iu përgjigj kritikave në një deklaratë për Variety.
“Të mos veshësh diçka vetëm se janë për femra, ti mbyll një botë të tërë për rroba të shkëlqyera”, shpjegoi ai. “Dhe unë mendoj se ajo që është emocionuese për momentin është që ju mund të vishni atë që ju pëlqen. Nuk ka pse të jetë X ose Y”, tha ai. /Telegrafi