Në Liban është paraqitur një numër i madh i karkalecave të shkretërirës, të cilët kanë shkaktuar panik te fermerët për shkak se ushqehen me të mbjella dhe i dëmtojnë rëndë ato.
Ushtria libaneze tha se ka filluar të realizojë operacione të shpërndarjes së pesticideve me helikopterë në Baalbek dhe Ras Baalbek për t’i luftuar karkalecat e shkretëtirës, shkruan Arab News, transmeton Gazeta Express.
Kryetari i qytetit Ersal, Bassel Al-Hujairi, tha se ka parë miliona karkaleca të shkretëtirës duke fluturuar dhe duke sulmuar trupat e pemëve të qershisë dhe të mbjellat.
“Karkalecat e kanë pushtuar një të tretën e qytetit. Përderisa ne u ngutëm që ta zbulojmë madhësinë e fatkeqësisë, tufat e karkalecave tashmë janë përhapur në qytet, që do të thotë se në orët e hershme të së premtes kanë arritur të kalojnë 15 kilometra, duke lëvizur nga zonat shterpe drejt Ersalit. Nëse arrijnë të shumohen këto tufa, ato mund ta mbulojnë dritën e Diellit”, tha ai.
Në Ersal ndodhen mbi dy milionë trupa qershie, molle dhe kajsie, kryesisht në pjesët jugore dhe lindore, tha kryetari, ndërsa karkalecat ende janë në pjesën veriore të qytetit. “Shpresoj që era të mos i çojë në drejtime tjera”, shtoi Al-Hujairi.
Tufat e mëdha të karkalecave arritën në shtetin që është prekur nga disa kriza njërkohësisht, pasi më parë ishin përhapur edhe në vende tjera të rajonit, përfshirë Sirinë, Irakun dhe Jordaninë.
Ardhja e karkalecave pritet ta rëndojë edhe më shumë gjendjen në Libanin e trazuar nga kriza politike e bankare, pandemia e koronavirusit dhe shpërthimi i fuqishëm në Portin e Bejrutit.