Librat profesionalë, me autorë të zgjedhur dhe fusha specifike – prioritet i UBT-së

Prishtinë | 12 Jan 2017 | 17:09 | Nga

Gjatë punës së deritanishme, UBT i ka kushtuar një kujdes shumë të madh edhe sigurimit të literaturës adekuate dhe sa më bashkëkohore për studentët. Marrëveshjet me shumë institucione ndërkombëtare u kanë mundësuar studentëve të kenë qasje online në bibliotekat më të njohura, që sigurojnë literaturën përkatëse për të gjitha drejtimet e studimit.

Gjithashtu, ka krijuar bibliotekën më të madhe universitare në vend, me titujt më të fundit, të cilat janë në dispozicion të studentëve dhe profesorëve në të gjitha kam-puset e UBT-së.
Ky institucion, njëkohësisht i ka kushtuar kujdes shumë të madh edhe publikimit të librave të profesorëve dhe ekspertëve të angazhuar në këtë institucion.

Rektori i UBT-së, prof.dr.Edmond Hajrizi thekson se ky institucion, në pesëmbëdhjetë vitet e punës së tij, ka publikuar mbi 40 tituj të librave, të cilat paraqesin një pasuri shumë të madhe për institucionin, por edhe një mundësi shumë të madhe për studentët e të gjitha niveleve.

“UBT ka ndjekur parimin e publikimit të librave në fushat në të cilat është vërejtur mungesë e literaturës për studentët. Krejt kjo me qëllimin që studentëve t’u ofrohet literaturë në gjuhën shqipe në fushat e reja dhe në harmoni me plan programet mësimore moderne që ofron UBT”, thotë rektori Hajrizi.

Sipas tij, kujdes i është kushtuar literaturës nga shkencat kompjuterike, arkitektura, prokurimi e shkencat sociale, ku një pjesë e librave janë të parat të kësaj fushe në gjuhën shqipe.

Para publikimit të librave të rinj, organet drejtuese të UBT-së vlerësojnë cilat janë lëndët në të cilat ka nevojë për literaturë shtesë dhe pastaj merret vendimi për publikimin e librave, botimi i të cilave mbështetet materialisht nga UBT.

Gjatë vitit 2016, UBT publikoi disa tituj, kryesisht libra që mbulojnë fusha specifike dhe që shënojnë të arritura dhe paraqesin prurje të veçanta, me interes jo vetëm për studentët, por edhe për lexuesit e tjerë në përgjithësi, që paraqesin edhe të arritura në fushën e shkencës.

UBT do të vazhdojë me publikimin e librave të rinj edhe gjatë vitit 2017. “Kemi hartuar planin e publikimit të librave gjatë vitit në të cilin sapo kemi hyrë. Do të përkrahim me prioritet librat autorialë të profesorëve dhe ekspertëve të angazhuar në UBT, gjithnjë duke u kujdesur që këta libra të sjellin risi dhe të jenë nga fusha specifike”, tha dr.Hajrizi.

“UBT e ka mision të vetin të sigurojë literaturë për studentët, por edhe të japë kontributin në pasurimin e literaturës shkencore në përgjithësi në vend, duke qenë edhe në këtë fushë prijatare, siç është edhe në të gjitha fushat e tjera”, theksoi rektori Hajrizi.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme