Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook ka lajmëruar se po bëhet studimi i fizibilitetit dhe projekti preliminar i dizajnit për linjën hekurudhore Prishtinë – Durrës, për të cilën tha se “po bëhet realitet”.
“Jemi tek drejtoria e përgjithshme e hekurudhave në Durrës për të diskutuar për hapat e mëtejmë të linjës hekurudhore që do t’i bashkojë ekonomitë tona dhe do t’i fuqizojë mundësitë për zhvillim ekonomik, si për Kosovën ashtu edhe për Shqipërinë”, shkroi Aliu.
Në dhejtor të vitit të kaluar, Aliu kishte prezantuar për media projektin për ndërtimin e hekurudhës Prishtinë-Durrës.
“Mund të them se ky projekt po merr rrugën e vet dhe jemi në faza ku tashmë mund të fillojmë edhe me hartimin e një plani të menaxhimit të saktë, i cili përfundon së shpejti dhe do të na japë të qartësi edhe në aspektin kohor dhe financiar të realizimit të këtij projekti”, ishte shprehur Aliu.
Ai pati lajmëruar se në buxhetin për 2022 për fazën e parë – studimin e fizibilitetit të këtij projekti janë ndarë 1 milion euro.