Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Liburn Aliu ka thënë se reagimet ndaj testeve që kanë ardhur nga Serbia në të vërtetë janë për heqjen e reciprocitet të vënë nga qeveria në detyrë.
Aliu ka shkruar në Facebook se ata që janë kundër reciprocitetit me Serbinë janë më të zëshmit në sulmin në lidhje me pranimin e 1000 testeve nga Serbia.
“Është interesante që të gjithë ata që janë kundër reciprocitetit me Serbinë, pra ata që janë mësuar me importimin dhe kontrabandimin gjithçkaje nga Serbia sot po janë më të zëshmit në sulmin në lidhje me pranimin e 1,000 testeve nga Serbia. Po të njejtit nuk e kanë pasë problem në të shkuarën që në kushte normale (dhe jo të krizës që gjendemi) të importohet qoftë oksigjen e qoftë gjak ose qoftë edhe të pranohen si donacione serume të ndryshme, që janë bërë në të shkuarën, po nga Serbia”, ka shkruar Aliu.
Ai ka thënë se Presidenti Thaçi pikërisht sot bëri thirrje për heqje të reciprocitetit me Serbinë.
“Ju të PLAN-it nuk e keni problem Serbinë, se me të keni biznes e dallavere, ju problem të vërtetë realisht e keni VETËVENDOSJEN, drejtësinë dhe reciprocitetin. Kjo u tregua dhe sot, kur presidenti i PLAN-it bëri thirrje që Kosova të heqë dorë nga reciprociteti me Serbinë. Pikërisht sot, në shtatëvjetorin e marrëveshjes Daçiq-Thaçi për Zajednicën e Bosnjëzimin e Kosovës”, ka shkruar deputeti i VV’së.