Nën patronatin e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, janë mbajtur homazhe me rastin e ndarjes nga jeta të nënkryetarit të Komunës së Drenasit, Gani Sylaj, raporton Ekonomia Online.
Në Teatrin Kombëtar të Kosovës për homazhe erdhën personalitete të njohura dhe lider të vendit që ngushëlluan familjarët e të ndjerit Sylaj.
Gani Sylaj u lind me 14 janar 1952, në fshatin Kishnarekë, Komuna e Drenasit, ish Gllogoc. Shkollën fillore e ka nisur në Kishnarekë, ndërsa e ka përfunduar në Komoran. Në Prishtinë ka mbaruar Shkollën e Mesme Normale në vitin shkollor 1971/72. Në vitin 1973 regjistron degën e Filozofi-Sociologjisë në Fakultetin Filozofik, të cilin e ndërprenë në vitin 1974, kur i përkushtohet tërësisht organizimit ilegal në Grupin Revolucionar të Kosovës.
Në vitin 1979 burgoset dy muaj për kundërvajtje, në Gjykatën komunale në Drenas, ish Gllogoc. Pa mbaruar këtë dënim, në Burgun e Prishtinës, dërgohet në Burgun e Shkupit, ku në vitin 1980 dënohet me 4 vjet burgim. Fillon vuajtjen e dënimit në Burgun e Idrizovës, në Maqedoni deri në shkurt të vitit 1982, kur Sigurimi jugosllav e transferon në Burgun e Prishtinës, për ta dënuar me 12 vjet burg, të cilat i mbajti në burgun e Mitrovicës dhe në Burgun Hetues të Somborit, në Vojvodinë. Nga burgu është liruar në vitin 1990.
Pas burgut, nga viti 1990 – 1994 ushtron disa funksione dhe merret me një sërë aktivitetesh: me iniciativën e kolektivit të shkollës fillore të fshatit të lindjes, zgjidhet drejtor i Shkollës Fillore. Kur u themelua Lidhja e Arsimtarëve Shqiptarë, u zgjodh kryetar për Komunën e Drenasit, ndërsa në kuadër të kryesisë së kësaj shoqatë ishte i ngarkuar edhe me detyra të tjera; në Lidhjen demokratike të Kosovës, anëtar i kryesisë së degës së Drenasit dhe delegat në kuvendin e saj; në Lëvizjen për Republikën e Kosovës, kryetar; Në Këshillin për Financim, anëtar i kryesisë së degës në Drenas dhe anëtar i komisionit të kontrollit në nivel të Këshillit. Një ndër redaktoret e Gazetës “Bashkimi” etj.
Pas shpërthimit të parë të Jasharëve, së bashku me shokët e burgut etj., merr pjesë në tërheqjen dhe strehimin e qetës së Adem Jasharit (1991).
1994 -2000 pasi i shpëton një ekspedite të policisë serbe, emigron në Zvicër. Fillimisht kryetar i nëndegës së Cyrihut e më vonë kryetar i degës së LDK-së në Zvicrës. Bashkëpunëtor i Ministrisë së Arsimit në mërgim; Anëtar i Kryesisë së Lidhjes së Arsimtarëve dhe Pedagogëve Shqiptarë në Zvicër; kryetar i Emergjencës për Zvicër; Kryetar i degës së Lidhjes së Bashkuar Demokratike në Zvicër etj.
Prill-qershor të vitit 1999, Zëdhënës i UÇK-së dhe Zëvendëskomandant për Zonën e Veriut; anëtar i Fondit Vendlindja Thërret; 1999-2000, në Qeverinë e Përkohshme të Kosovës, Zëvendësministër i Ministrisë për Emigracion; 2000-2001 drejtor i Agjencisë së Lajmeve “Kosovapress”; 2001-2002, ndjek kursin për organizimin e partive politike në kuadër të NDI-së, (Instituti Nacional Demokratik).
Gjatë viteve 2002-2005, ishte Kryetar i degës së Partisë Demokratike të Kosovës për Drenas dhe anëtar i Këshillit Drejtues i PDK-së; Kryetar i Komunës së Drenasit; i certifikuar për pushtetin lokal në Universitetin Georgetoën në Uashington, SHBA (2004);
2006-2011. Drejtues ekzekutiv në Shoqatën e ish-të Burgosurve Politikë; 2008-2011 anëtar i Bordit të Drejtorëve të PTK-së, etj.
Nga viti 2017 ka ushtruar detyrën e nënkryetarit të Komunës së Drenasit.