Liderët e Bashkimit Europian diskutojnë dozat përforcuese anti-covid dhe masat kufizuese

Prishtinë | 16 Dhj 2021 | 14:29 | Nga Ekonomia Online

Liderët e Bashkimit Europian janë rikthyer në Bruksel për një samitin njëditor me një agjendë të ngjeshur, ku do të ketë diskutime rreth dozave përforcuese anti Covid, çmimeve të energjisë, emigrantët e paligjshëm dhe kërcënimit ushtarake të Rusisë në kufirin me Ukrainën.

Në sallën e mbledhjeve të Këshillit Evropian do të jenë disa figura të reja: kancelari gjerman Olaf Scholz, kryeministrja suedeze Magdalena Andersson, kancelari austriak Karl Nehammer dhe kryeministri bullgar Kiril Petkov të gjithë marrin pjesë për herë të parë kryetarë të qeverisë së vendeve të tyre.

Samiti në kryeqytetin belg vjen në një moment të brishtë për unionin, që ka hyrë sërish në pasiguri të thellë për shkak të përhapjes së variantit “Omicron” të koronavirusit.

Njëkohësisht, inflacioni në eurozonë arriti nivelin më të lartë të të gjitha kohërave në nëntor, 4.9 për qind, si pasojë e krizës energjetike.

Debati do të përqendrohet te Omicron dhe dozat e treta, përhapja e të cilave është përshpejtuar pasi Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve tha se mbrojtja e vaksinave zvogëlohet pas gjashtë muajve të parë.

Temë e Samitit janë pasaportat e gjelbra të Covid. Muajin e kaluar, Portugalia tronditi Brukselin kur refuzoi pasaportën dhe kërkoi për të gjithë njerëzit që hyjnë në kufi testin negativ PCR.

Italia, së fundi ndoqi shembullin e Portugalisë. Zyrtarët e BE presin që udhëheqësit të diskutojnë temën e ndjeshme të vaksinimit të detyrueshëm. Austria, Gjermania dhe Greqia kanë ndërmarrë hapa vendimtarë në favor të kësaj mase. Megjithatë, Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, por theksoi se kompetencat për këto vendime i aknë vetë qeveritë e shteteve.

Rritja e faturave të energjisë është shqetësimi tjetër i Europës. Që nga mesi i verës, blloku ka parë rritje të çmimeve të gazit natyror me një ritëm befasues për shkak të mospërputhjes ndërkombëtare të ofertës dhe kërkesës.

Në samitin e fundit, vendet anëtare ranë dakord të menaxhojnë krizën e energjisë përmes zgjidhjeve të brendshme. Por kjo qasje kombëtare nuk i ka bindur vendet e goditura keq si Spanja dhe Italia, të cilat këmbëngulin se nevojitet veprim i përbashkët i fuqishëm.

Takimi më pas do t’i kthehet migrimit, një temë që ka ngjallur diskutime të nxehta vitet e fundit. Udhëheqësit do të përpiqen të ndihmojnë financiarisht vendet e origjinës, për të frenuar  largimin e emigrantëve dhe goditjen e trafikimit të qenieve njerëzore, raporton tch.

Së fundi, Këshilli do të diskutojë marrëdhëniet me Bjellorusinë dhe Rusinë, dy vende të akuzuara për nxitjen e tensioneve të panevojshme në kufijtë lindorë të Evropës.

Tensionet me Rusinë janë rritur në nivelin më të lartë që nga viti 2014, kur Moska aneksoi gadishullin e Krimesë. Tani, vendet perëndimore i frikësohen idesë se Presidenti Vladimir Putin mund të kryejë një pushtim ushtarak në Ukrainë.

Rreth 100,000 trupa ruse janë vendosur përgjatë kufirit me Ukrainën, sipas vlerësimeve të inteligjencës amerikane. G7 i tha Moskës se do të përballet me kosto të rënda nëse vazhdon me këtë plan.

Këshilli Evropian do të përfundojë me një samit të euros, me synim rritjen ekonomike të gjithë unionit.

Të ngjashme