Liderët rajonal paralajmërojnë: Është në interesin e Rusisë që të ketë terrene të reja të betejave

Prishtinë | 11 Mar 2022 | 08:56 | Nga Ekonomia Online

Rusia ka të ngjarë të zgjerojë konfrontimin e saj me perëndimin duke i bërë presion Serbisë për të minuar pavarësinë e Kosovës dhe shteteve të tjera të Ballkanit Perëndimor, kanë paralajmëruar liderët e Ballkanit në intervistat e tyre për theGuardian.

Ata gjithashtu i kanë bërë thirrje BE-së dhe NATO-s që të përshpejtojnë qasjen dhe aplikimin për anëtarësim nga vendet e Ballkanit dhe të forcojnë mbrojtjen kundër ndërhyrjeve ruse.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka paralajmëruar se “është në interesin e Federatës Ruse që të ketë terrene të reja të betejave sepse nuk duan të rikthehet paqja”.

Ndërkaq, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, parashikoi se “Rusia, duke destabilizuar Ballkanin Perëndimor, do të kërkojë të destabilizojë të gjithë Evropën” dhe tha se Moska po përdor Serbinë për të rrezikuar vlerat demokratike.

Sefik Xhaferoviq, anëtari boshnjak i Presidencës trepalëshe të Bosnje-Hercegovinës, paralajmëroi se vendi i tij ishte veçanërisht i cenueshëm ndaj ndërhyrjes ruse, pasi Millorad Dodik, anëtari serb i presidencës që ka lidhje të ngushta me Kremlinin, po kërcënon me tërheqjen e serbëve të Bosnjës nga ushtria kombëtare, gjyqësori dhe sistemi i taksave, duke prishur traktatin e paqes të Dejtonit që i dha fund luftës në 1995.

“Dodik po përpiqet të përfitojë nga fakti që vëmendja e perëndimit është e përqendruar te Ukraina”, tha Xhaferoviq për Guardian, transmeton Telegrafi.

“Ai për sjelljen e tij inkurajohet nga Rusia… Qeveritë perëndimore duhet ta konsiderojnë këtë shumë më seriozisht dhe të angazhohen më aktivisht dhe fuqishëm në Bosnje-Hercegovinë dhe në të gjithë rajonin”, tha ai.

“Këto janë ditë të zeza për Evropën dhe mbarë botën. Jemi dëshmitarë të diçkaje që është e tmerrshme. Ne pamë një tmerr të ngjashëm këtu në Bosnje-Hercegovinë në vitet 1990”, ai.

Ndërkaq, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se qetësimi i autokratëve si Vladimir Putin dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, ishte treguar se nuk funksiononte në Ukrainë.

Ajo paralajmëroi se “Rusia ka të ngjarë të përdorë ose Baltikun ose Ballkanin Perëndimor – ose të dyja – për të rritur tensionet dhe për të zgjeruar krizën ndërkombëtarisht”.

Ndërkaq, kryeministri Kurti më tej ka shtuar se “Kam frikë se sa më gjatë të zgjasë lufta në Ukrainë, aq më të mëdha janë shanset e përhapjes në Ballkanin Perëndimor. Dhe kjo sepse është në interesin e Federatës Ruse që të ketë terrene të reja beteje”.

“Putini ende e konsideron ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë si ngjarjen më të rëndësishme ndërkombëtare të fundit”, tha Kurti. “Ai dëshiron që shteti i Kosovës të dështojë për të treguar se suksesi i NATO-s ishte i përkohshëm, ashtu si në Irak dhe Afganistan”.

Deklaratat e liderëve erdhën pasi ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, filloi një turne në Ballkanin Perëndimor duke përfshirë Kosovën, duke thënë se ajo ishte e vendosur të dërgonte një mesazh se Evropa nuk do ta linte rajonin të binte nën ndikimin e Rusisë.

Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi kanë dyfishuar thirrjet e tyre për përparim serioz në lidhje me aplikimet që kanë ngecur për t’u anëtarësuar në NATO dhe BE.

Kosova po aplikon edhe për anëtarësim në Këshillin e Evropës – nga i cili Rusia po jep dorëheqjen.

Osmani tha “Gjithçka që shohim në Ukrainë na sjell kujtimet e çmimit të rëndë që duhej të paguanim për të arritur lirinë tonë. Pra, ne mund të jemi një vend i vogël, por shpresojmë se kemi një zë të madh për të thënë se nuk ka çmim shumë të lartë për të mbrojtur demokracinë”.

Presidentja e Kosovës theksoi se “Beogradi është i vetmi vend në Evropë me protesta pro Putinit, ku politikanët thonë se mbështesin agresionin. Ata janë i vetmi vend në Evropë që nuk i kanë vënë sanksione…por kanë rritur numrin e fluturimeve nga Beogradi në Rusi”.

Ndërkaq, Kurti është shprehur se “Neutraliteti është në anën e agresorit. Është gjëja më e pahijshme që mund të bësh. Nuk mund të jesh neutral mes zjarrit dhe zjarrfikësit”.

Kurti tha se Serbia shpenzon pothuajse 3% të GDP-së së saj për pajisje ushtarake dhe trajnime – shumica e të cilave vijnë nga Rusia.

“Ata kanë 14 avionë luftarakë MiG-29, tetë prej tyre donacione nga Bjellorusia dhe gjashtë nga Federata Ruse – dhe ju e dini, donacionet nga Federata Ruse vijnë me një çmim”, tha ai.

Kurti dhe Osmani, anëtarë të partive të ndryshme, por partnerë në qeveri, përballen me një pengesë të veçantë, pasi pesë vende të BE-së ende nuk e kanë njohur Kosovën, shkruan Guardian. /Telegrafi/

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme