Liderët shtetërorë kanë shkelur Ligjin për Protokoll shtetëror kur vendosën që të gjithë të largohen në kohën e njëjtë nga shteti, raporton KTV.
Ky ligj ndalon që presidenti, kryetari i Kuvendit dhe kryeministri të udhëtojnë në kohën e njëjtë jashtë shtetit. Kjo nuk është hera e parë që ndodh një gjë e tillë, derisa këtë herë kryetari i Kuvendit, kryeministri e zëvendësi i tij, Fatmir Limaj, kanë udhëtuar me aeroplanin e njëjtë privat të zëvendëskryeministrit Behgjet Pacolli.
Tre liderët më të lartë shtetërorë edhe një herë tjetër kanë dështuar në aspektin e protokollit dhe kanë lëshuar Kosovën në kohën e njëjtë.
Në Bruksel po qëndrojnë Presidenti Hashim Thaçi, Kryeparlamentari Kadri Veseli dhe Kryeministri Ramush Haradinaj, duke shkelur kështu Ligjin për Protokollin e Shtetit, në të cilin thuhet se paraprakisht duhet të koordinohen vizitat e takimet e tyre.
Sipas këtij ligji, vizitat bashkërendohen në mënyrë që të mos jenë të tre njëkohësisht jashtë vendit.
Vendimi i krerëve të shtetit për të udhëtuar në të njëjtën kohë është kritikuar nga partitë opozitare.
Vjosa Osmani-Sadriu, deputete e LDK-së, tha se përveç që e kanë shkelur protokollin e shtetit, liderët, sipas saj, edhe kur janë këtu nuk është se bëjnë shumë punë.
Deputetja e Vetëvendosjes Arbërie Nagavci këtë e quan shpërfillje dhe shkelje të radhës të ligjit nga ata që do të duhej të ishin gardianë të tij.
Kjo nuk është hera e parë që liderët institucionalë e shkelin këtë ligj, pasi kështu kanë bërë edhe me rastin e ceremonisë së shenjtërimit të Nënë Terezës në Vatikan, para dy vjetësh.
Ngjashëm ata kanë vepruar edhe në udhëtimin e tyre në SHBA, ku kanë marrë pjesë në “Lutjet e Mëngjesit”.