Një skulpturë e bërë nga mbeturinat elektronike, e ngjashme si ajo në “Mount Rushmore”, është bërë në Cornwall të Anglisë para nisjes së samitit të Grupit G7, në të cilin do të marrin pjesë liderët e vendeve më të industrializuara të botës.
Skulptura është emërtuar “Mount Recyclemore” dhe me të synohet që të theksohet dëmi i shkaktuar nga hedhja në mbeturina e pajisjeve elektronike, shkruan BBC.
Skulptori Joe Rush tha se shpreson që skulptura do të tregojë se këto materiale duhet të jenë më lehtë të ripërdorshme dhe të riciklueshme.
Sipas një raporti të Kombeve të Bashkuara, më shumë se 53 milionë tonë mbeturina elektronike janë krijuar në botë vetëm në vitin 2019 – mbi nëntë milionë tonë më shumë se pesë vite më parë.
Shtatë liderët e paraqitur në skulpturën e pazakontë janë kryeministri britanik, Boris Johnson, kryeministri japonez, Yoshihide Suga, presidenti francez, Emmanuel Macron, kryeministri italian, Mario Draghi, kryeministri kanadez, Justin Trudeau, kancelarja gjermane, Angela Merkel, dhe presidenti amerikan, Joe Biden.
Autori i skulpturës shpjegoi se vendndodhja e saj është zgjedhur me qëllim afër Hotelit Carbis Bay, ku samiti pritet të mbahet në fundjavë, me shpresën se liderët do ta vërejnë objektin gjatë fluturimit.