Lidhet edhe fshati i fundit me internet brezgjerë, nga projekti përfituan mbi 400 të rinj e 200 fshatra

Prishtinë | 21 Mar 2023 | 13:34 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Për të shënuar shtrirjen e infrastrukturës telekomunikuese brezgjerë në terë territorin e Kosovës, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, vizitoi fshatin Herticë të Komunës së Podujevës, raporton Ekonomia Online.

“Në fillim të pranverës, sot po e shënojmë një të arritur të rëndësishme për vendin tonë, lidhjen e fshatit të fundit në internet brezgjerë”, tha Kryeministri Kurti.

“Po realizojmë një objektiv kyç që ka të bëjë me një nga parimet kryesore të qeverisjes sonë, e që është gjithëpërfshirja. Në rrugëtimin tonë drejt digjitalizimit është me rëndësi që askush të mos mbetet prapa”, shtoi ai.

Kryeministri theksoi se Qeveria po sigurohet që përfitimet nga digjitalizimi i gëzojnë të gjithë qytetarët pa dallim rajoni, gjinie, etnie, apo statusi ekonomik. Duke investuar në infrastrukturën brezgjerë, ne po i thyejmë barrierat dhe po sigurojmë që të gjithë qytetarët të kenë qasje të barabartë në botën digjitale, shtoi ai.

Përtej digjitalizimit në qeveri, kryeministri theksoi se synohet mbështetja e ekonomisë digjitale, si faktor i rëndësishëm i rritjes ekonomike. Por, shtoi më tej ai, zhvillimi i qeverisjes dhe ekonomisë digjitale kërkon infrastrukturë e shkathtësi, dhe një ekosistem të gjerë inovacioni dhe se përmes programit të Ekonomisë Digjitale të Kosovës – KODE, me mbështetje të Bankës Botërore, Ministria e Ekonomisë është angazhuar në krijimin e këtyre parakushteve. Falë këtij programi, tashmë janë trajnuar mbi 400 të rinj e të reja në fusha të ndryshme të Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit, përderisa deri në fund të programit ky numër do të arrij në 2,000.  Gjithashtu është mundësuar lidhja në internet brezgjerë të 201 fshatrave, 107 shkollave dhe 43 ambulancave, që më parë nuk kanë pasur një lidhje të tillë.

Ai theksoi se nga sot Kosova është vendi më i mbuluar me infrastrukturë brezgjerë – është kampione në regjion dhe e krahasueshme me shtetet e zhvilluara të Bashkimit Evropian për shtrirje dhe përdorim të internetit brezgjerë. 

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se ky projekt ka për qëllim që t’u mundësojë qytetarëve të kësaj komune të kenë qasje në të dhëna si dhe mundësi ekonomike e punësim.

“Infrastruktura nuk bëhet për hir të ndërtimit, me rëndësi për ne është që kjo hartë që po e shohim, çdo banor i Kosovës ka qasje në të dhëna, në mundësi ekonomike, në punësim. Kjo i konvenon asaj qe në synojmë, pra të rrisim qasjen e gjithsecilit dhe të kemi një barazi sociale e ekonomike”, tha ajo.

Kryetari i komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, tha se me shtrirjen e internetit në të gjitha shkollat, nxënësit dhe mësuesit do të kenë qasje në internet, gjë të cilën e cilësoi si ndihmesë të madhe.

“Kjo arritje është realizuar nëpërmjet investimeve nga ana e Qeverisë dhe donatorëve të jashtëm, investime këto që kanë bërë të mundur që të gjitha shkollat të kenë qasje në internet”. 

“Me shtrirjen e internetit në të gjitha shkollat, nxënësit dhe mësuesit kanë qasje në internet. Me internet qytetarët dhe bizneset përfitojnë. Interneti është një ndihmë e madhe edhe për biznesin dhe punësimin e të rinjve tanë. Nga ky projekt përfituan 13 fshatra me dy mijë e 300 banorë, pesë shkolla dhe një ambulancë”.

Ndërsa, menaxheri i Bankës Botërore për Kosovë, Massimiliano Paolucci, tha se projekti është veçanërisht me rëndësi për Kosovën për shkak të popullatës së re që ka.

“Ajo çfarë është me e rëndësishme është fakti se në një vend si Kosova, në një vend me kaq shumë të rinj, t’ju mundësojmë qasje ne internet pafund. Ju themi qe e ardhmja është e juaja dhe tashmë Kosova është vend lider në rajon për qasje ne internet. Kjo gjë është e mrekullueshme”.

Ndërsa nga komuna e Podujevës, këto janë fshatrat që përfituan nga projekti: Herticë, Turiqicë, Brainë, Pushevicë, Karlativë, Berminik, Metergovc, Miroc, Brec,Murgu, Sylevic, Ternavic, Zhiti.

Të ngjashme