Lidhja e bizneseve të Kosovës hap zyrën e parë të diasporës në Gjenevë

Prishtinë | 02 Qer 2026 | 11:12 | Nga Ekonomia Online

Lidhja e Bizneseve të Kosovës ka hapur zyrtarisht Zyrën e parë të Diasporës në Gjenevë, një hap i rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit ekonomik me mërgatën shqiptare.

Ceremonia e hapjes së zyrës u zhvillua me pjesëmarrjen e Kryetarit të Lidhjes së Bizneseve të Kosovës, Besart Dreshaj, dhe Nënkryetari, z. Hashim Deshishku, të cilët theksuan rëndësinë strategjike të këtij projekti për lidhjen e diasporës me ekonominë e Kosovës.

Me këtë rast, Kryetari z. Besart Dreshaj nënshkroi vendimin për funksionimin e Zyrave të Diasporës dhe emëroi z. Xhavit Islami si koordinator të zyrës në Gjenevë.

Ky projekt synon të afrojë më shumë diasporën me ekonominë e Kosovës, duke krijuar mundësi të reja për investime, rrjetëzim biznesor dhe promovim të produkteve kosovare në tregjet ndërkombëtare.

Në kuadër të këtij funksionimi, zyra e re në Gjenevë do të shërbejë si pikë kontakti për:

• lehtësimin e investimeve në Kosovë dhe nga diaspora

• krijimin e bashkëpunimeve ndërmjet bizneseve vendore dhe atyre të diasporës

• ofrimin e informatave mbi mundësitë investuese

• promovimin e produkteve kosovare jashtë vendit

Një falënderim i veçantë i drejtohet Konsullit të Nderit të Maqedonisë së Veriut, z. Zaim Jashari, për bashkëpunimin e ngushtë, mbështetjen dhe mundësimin e hapësirës së zyrës, duke dhënë një kontribut të çmuar në realizimin e këtij misioni.

Të ngjashme