Lidhja e Bizneseve vlerëson që ZRrE do ta zbatojë vendimin e Supremes për liberalizim të tregut të energjisë

Prishtinë | 18 Dhj 2025 | 14:01 | Nga Ekonomia Online

Lidhja e Bizneseve të Kosovës vlerëson se vendimi i Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) për të zbatuar aktgjykimin e Gjykatës Supreme, i cili ka shpallur të paligjshëm dhe ka shfuqizuar dy nene të Udhëzuesit për Liberalizimin e Tregut të Energjisë Elektrike, paraqet një reflektim të vonuar institucional ndaj një vendimi të qartë gjyqësor.

“Edhe pse në fund ZRRE po reflekton dhe po konfirmon zbatimin e vendimit të Gjykatës Supreme, Lidhja e Bizneseve të Kosovës thekson se pasojat për bizneset janë tashmë shumë të mëdha dhe të rënda, si rezultat i vendimeve të mëparshme të ZRRE-së, të cilat tani janë konfirmuar si antiligjore. Këto vendime kanë krijuar pasiguri juridike, barrë financiare dhe kosto shtesë për një numër të madh të bizneseve në vend, duke dëmtuar drejtpërdrejt konkurrueshmërinë dhe stabilitetin e tyre. LBK shpreh shqetësimin e saj për qëndrimin e ZRRE-së se vendimi i Gjykatës Supreme ka karakter deklarativ dhe konstativ, pa efekt retroaktiv dhe pa ndikim në marrëdhëniet juridike të krijuara më herët. Ky interpretim, sipas nesh, nuk e zbeh faktin se veprimet dhe vendimet e mëhershme të ZRRE-së janë bazuar në një udhëzues që është vlerësuar i paligjshëm nga instanca më e lartë gjyqësore në vend, duke prodhuar pasoja konkrete dhe të matshme për sektorin privat”, thuhet ndër të tjerash në komunikatë.

Më tej thuhet se “Gjykata Supreme ka bërë një interpretim të detyrueshëm të Ligjit për Energjinë Elektrike, duke sqaruar qartë se e drejta për shërbime universale u takon vetëm konsumatorëve familjarë dhe ndërmarrjeve të vogla që i plotësojnë kriteret ligjore për numrin e punonjësve dhe qarkullimin vjetor. Ky interpretim konfirmon se çdo zgjerim apo përkufizim përtej këtyre kritereve ka qenë i pabazuar ligjërisht.   Lidhja e Bizneseve të Kosovës kërkon nga ZRRE që, përveç zbatimit formal të vendimit të Gjykatës Supreme, të marrë përgjegjësi institucionale për dëmet e shkaktuara ndaj bizneseve si pasojë e vendimeve antiligjore të së kaluarës, si dhe të sigurojë që në të ardhmen çdo akt nënligjor dhe çdo vendim rregullator të jetë në përputhje të plotë me ligjin dhe me sigurinë juridike. LBK do të vazhdojë të mbrojë interesat e komunitetit të biznesit dhe të kërkojë llogaridhënie, transparencë dhe vendimmarrje të drejtë nga të gjitha institucionet rregullatore, në mënyrë që gabime të tilla të mos përsëriten dhe të mos dëmtohet më tej ekonomia e vendit”.

Të ngjashme