Liga e Kampionëve, rruga e vetme e Guardiolas për ta shpëtuar stinorin

Prishtinë | 04 Shk 2020 | 13:34 | Nga Ekonomia Online

Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, kohë më parë ka pranuar se titulli i Premier Leagues është i Liverpoolit këtë stinor, mirëpo sulmi i shthurur dhe mbrojtja e ngathët e skuadrës së tij janë duke u bërë trend shqetësues.

Humbja e gjashtë këtë stinor, në udhëtim ndaj Tottenhamit të dielën 2:0, nënkupton se Manchester City ka humbur po aq herë këtë stinor sa në 84 ndeshjet e kaluara në ligë nën drejtimin e Guardiolas dhe po mbështetet në garat e kupës për ta shpëtuar stinorin, shkruan sot Koha Ditore.

Djelmoshat e Guardiolas janë në finalen e tretë rresht të League Cup, ku do të jenë favoritë absolutë ndaj Aston Villas më 1 mars. Po ashtu, do të përballen me Sheffield Wednesdayn në rrethin e pestë të FA Cup.

Mirëpo, stinori i Cityt do të gjykohet se si skuadra paraqitet në Ligën e Kampionëve, ku në 1/8 e finales do ta ketë përballë kampionin e 13-fishtë, Real Madridin.

Dështimi për të kaluar përtej çerekfinales në tre stinorët e Guardiolas te City deri më tash, ka qenë zhgënjim i madh në një periudhë, që përndryshe është vlerësuar shumë e suksesshme.

“Unë do të gjykohem nëse nuk e fitoj Ligën e Kampionëve këtu. Do të vlerësohem si dështim dhe e di këtë”, ka thënë trajneri i Cityt, Guardiola.

Por për të fituar Championsin, Cityt i duhen përmirësime të mëdha në dy anët e fushës. Por forcimi në mbrojtje është prioritet më i madh.

Të ngjashme