Ligat evropiane lëvizin me shpejtësi të ndryshme drejt rifillimit

Prishtinë | 12 Maj 2020 | 08:52 | Nga Ekonomia Online

Përderisa ligat evropiane po përgatiten të rikthehen pas pushimit të detyrueshëm nga koronavirusi, testet po zbulojnë raste të prekura me këtë pandemi në kampionate të ndryshme, ndonëse deri më tash planet për rifillimin e futbollit nuk janë hedhur në dyshim. Gjermania ende planifikon të jetë e para nga pesë ligat e mëdha, përpara Spanjës, Anglisë dhe Italisë – Franca e ka anuluar sezonin – të nisë më datën 16 maj, pas dyerve të mbyllura, pavarësisht ngjarjeve të fundit te Dynamo Dresden.

Klubi që garon në Bundesligën 2 u urdhërua të shtunën që të izolohet për 14 ditë pasi testimet zbuluan dy raste të freskëta të prekura me koronavirus.

“Kjo nuk është një arsye për ta vënë në dyshim tërë sezonin”, tha kreu i ligës gjermane, Christian Seifert. “Për mua, prej fillimisht ishte e qartë se do të kishte raste të tilla dhe kjo mund të ndodhte. Por, ne jemi në prag të rifillimit dhe duhet të vazhdojmë planin”.

Seifert paralajmëroi, megjithatë, se rastet e mëtejshme të prekura me koronavirus mund të rrezikojnë planet për të përfunduar sezonin deri më datën 30 qershor.

“Mund të arrijë në një shkallë ku nuk është më e mundshme”, pranoi Seifert. “Kjo do të varet prej asaj se sa kohë kemi në dispozicion për të përfunduar sezoni”.

Ndeshjet do të luhen prapa dyerve të mbyllura dhe me një numër maksimal prej 300 personash brenda stadiumit që do të lejohen në secilën ndeshje, përfshirë të dyja ekipet. Në vazhdën e rifillimit, të gjitha skuadrat duhet të futen për një javë në karantinë, gjë që tashmë kanë filluar ta bëjnë. Edicioni i pezulluar në muajin mars shkaku i koronavirusit, në Gjermani është caktuar të rifillojë të shtunën.

Liga gjermane e futbollit ditë më parë zbuloi se 1724 teste janë bërë në 36 klubet e dy divizioneve të para në dy raunde, ku dhjetë rezultuan pozitivë në të parin dhe dy tjerë në raundin e dytë të testeve. Këtu përfshihen dy lojtarë dhe një trajner i fitnesit te Koelni, një lojtar dhe një fizioterapeut i Borussia Moenchengladbachut, por vetëm individët e lartshënuar u futën në karantinë dhe skuadrat vazhduan me stërvitjet.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme