Neni 49 i Ligjit të Punës rregullon çështjen e pushimit të lehonisë ku thotë: Femra e punësuar gëzon të drejtën prej 12 muajve, të pushimit të lehonisë. Për 6 muajt e parë të pushimit të lehonisë pagesa bëhet nga punëdhënësi me kompensim 70% të pagës bazë, kurse për 3 muajt në vijim, pushimi i lehonisë paguhet nga Qeveria e Kosovës me kompensim 50% të pagës mesatare në Kosovë.
Bazuar në këtë nen të Ligjit të Punës, edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu e cila u bë nënë para një muaji gëzon këtë të drejtë por ajo ende vazhdon të jetë aktive në ministrinë që drejton. Madje, ajo mori pjesë edhe në mbledhjen e Qeverisë të thirrur dje nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, shkruan Infosot.com
Ministrja Haxhiu në një përgjigje për Infosot.com, ka treguar arsyen e vazhdimit të angazhimeve të saj në ministrinë e Drejtësisë.
“Duke pasur parasysh që kemi një përgjegjësi të madhe, unë nuk mund të shfrytëzoj pushimin e lehonisë. Është përgjegjësi e imja si Ministre që zotimet që i kemi dhënë para qytetarëve t’i jetësojmë. Megjithatë unë ende nuk kam filluar punën. Për momentin jam duke u angazhuar vetëm aty ku është e domosdoshme. Aktualisht punën më të madhe jam duke e bërë nga shtëpia dhe vetëm 2 apo 3 herë në javë më duhet të dal për çështje të rëndësishme” tha ministrja Haxhiu.
Tutje, Haxhiu inkurajon të gjitha nënat që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre ligjore për pushimin e lehonisë. Ministrja porositë punëdhënësit, vecanërisht ata të sektorit privat që të mos i diskriminojnë gratë dhe të ju përgjigjen përgjegjësive që ju takojnë sipas ligjit të punës.
“Pavarësisht situatës sime, unë inkurajoj nënat që të shfrytëzojnë pushimin e lehonisë dhe në anën tjetër bëj thirrje punëdhënësve sidomos sektorit privat që të mos i diskriminojnë gratë dhe t’ua ofrojnë atyre një ambient të përshtatshëm të punës në respekt të ligjit të punës dhe të drejtave të punëtorit” përfundon Haxhiu.