Ligji për rritjen e pagave në sektorin publik do të krijojë probleme në të ardhmen si dhe do të bëjë që qeveria të dëmtojë sektorët e caktuar ose të futet në borxh, raporton Ekonomia Online.
Kështu u tha në diskutimin e organizuar nga Institutit Riinvest lidhur me temën “Ligji mbi pagat në sektorin publik: implikimet dhe stabiliteti makro-fiskal”, raporton Ekonomia Online.
Drejtori i Riinvest, Muhamet Mustafa, deklaroi se ligji i pagave do të përkeqësojë situatën dhe qeveria e re pritet të ballafaqohet me këtë problem.
“Ky ligj përkeqëson një situatë ku fatura dhe kostoja ka qenë tepër e lartë. qeveria ose duhet të dëmtojë sektorët e caktuar ose të futet në borxh. Mund të krijojë probleme në sistemin makro-ekonomik. Qeveria e re pritet të ballafaqohet me problemin e ligjit të pagave”, tha ai.
Mustafa theksoi se ligji i pagave është tendencë e grabitjes së buxhetit në kundërshtim me qeverisjen makro ekonomike.
“Situata në pagat ka dalë mbi limitet e caktuara edhe pa ligjin e ri. Me ligjin e ri kalojmë të gjitha kriteret, Kosova nuk është vendi i vetëm që ka këto probleme por duhet të ndërtoj politika konsistente dhe të qëndrueshme në këtë fushë. Ligji i ri është punuar pa analiza krahasuese dhe ka krijuar një atmosferë të kërkesave të paarsyeshme për rritjen e pagave. Kemi një tendencë të grabitjes së buxhetit në kundërshtim me rregullat e qeverisjes makroekonomike”, tha ai.
Alban Hashani nga Riinvest, deklaroi se në Ligjin e ri të Pagave duhet të analizohet numri i shërbyesve civilë dhe lartësia e pagave.
Hashani theksoi se është në rritje numri i shërbyesve civil se sa rritje e popullsisë. Siç tha ai deri në 17% shkon përqindja e rritjes së buxhetit e kjo ndikon në uljen e investimeve.
Sipas tij, nëse nuk do të bëhej ligji i rritjes së pagave Kosova do të kishte 125 milionë investime shtesë.
“Kjo çështje është tejet e rëndësishme pasi që mënyra se si perceptohet politika fiskale. Duhet të analizohet numri i shërbyesve civil dhe lartësia e pagave. Nëse kjo nuk bëhet do të kemi çrregullimi dhe ruajtjen e kohezionit fiskal dhe makro social”.
“Sa është madhësia e sektorit publik dhe përqindja e përgjithshme e shërbyesve në Kosovë. 77 mijë shërbyes civil 85 mijë rritje të numrit civil se sa rritja e popullsisë. 7-17% rritje e buxhetit. Kjo tkurr për të investuar në pjesë tjera. 2020 kjo pjesëmarrja arrin në 32% që Kosova prin në raport me vendet rajonale”.
“Nëse ligji i pagave në rritje nuk do të bëhej do të kishim 125 milionë investime shtesë në raport me gjendjen që kemi sot. Sa më shumë që po e rrisim pjesëmarrjen e pagave do të krijojmë probleme në të ardhmen dhe do të rrisim borxhin”, tha ai.
Hashani ka përmendur disa rekomandime që duhet të bëhen para se të hyjë në zbatim ligji i ri i pagave.
“Rishikimi i ligjit, të bëhet më rigoroz përzgjedhja e administratës publike. Të sigurohen politika të qëndrueshme me të hyrat buxhetore dhe përqindja e investimeve kapitale mos të jetë më e ulët se 32-35% të buxhetit. lartësia e pagave të jetë e ngjashme në sektorin privat, përveç në disa sektorë të caktuara siç është rasti me mjekët, ky fakt për të reduktuar premiumin tepër të lartë në pagën e të punësuarve në sektorin qeveritar në krahasim me atë privat. Ligji nuk e eliminon diskrecionin për pagat që parasheh ligji. Sugjerohet që edhe kriteret e shpërndarjes së brendshme të avancohen dhe bazohen gjithnjë e më shumë në llogaridhënie”, u shpreh Hashani.
Pëllumb Çollaku nga Riinvest tha se Ligji i ri i Pagave po bën që Kosova të humb aftësinë konkurruese në rajon.
Çollaku deklaroi se nga rritja e pagave do të përfitojnë bankat komerciale, derisa Kosova do të përfitoj vetëm një pjesë të vogël.
“Ne po humbim aftësinë konkurruese në rajon ku jemi në vend të fundit. Ligji i pagave do ta thellonte edhe me tutje ketë. Sektori privat shihet mjaftë i zbehtë. Do të dobësonte aftësinë konkurruese në rajonin e Ballkanin si dhe diferenca e pagave aktuale dhe ato me rritje mund të prodhojë një profit të bankave komerciale në Kosovë. Pasi rritja do të ndikojë drejtpërdrejt të bankat komerciale dhe një pjesë do ta marrin bankat dhe Kosova do të merr një perfitim të vogël në tatim për shkak te diskrecionit të madh që ka në eksport”
“Rikonsolidim të sektorit privat, një dorë të fuqishme të shtetit në sektorin privat të jep një sinjal për ruajtjen e fuqisë punëtore”, u shpreh ai.
Berat Thaçi nga Riinvest tha se qytetarët e Kosovës në disa sektorë po paguajnë dyfish shpenzimet në krahasim me vendet e Evropë, e kjo do të ndikojë në ikjen e tyre.
“Shpenzimet në shëndetësi në Kosovë janë 3% e bruto produktit vendor ndërsa mesatarja në Evropë është rreth 7% atëherë në shpenzojmë shumë pak dhe qytetarët paguajnë dyfishin për shërim në krahasim me qytetarët në Evropë. Ne arsim shpenzojmë me shifër të ulët si dhe në ambient shpenzojmë vetëm 0.2%”, ka thënë Thaçi.
Ligji për Paga u dërgua nga Avokati i Popullit në Gjykatën Kushtetuese, i cili edhe u pezullua deri në muajin mars.