Kuvendi i Kosovës, në vazhdim të seancës që ka nisur paradite, pas mesnate votoi ndarjen buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2019.
Për votuan 65 deputetë, përfshirë deputetët e PSD-së në oçozitë; duke evituar kështu një krizë institucionale sa i përket buxhetit dhe pagave në sektorin publik. PSD kishte vendosur disa kushte.
Miratimit të ligjit i parapriu miratimi i amendamenteve të përkrahura nga Komisioni funksional për Buxhet dhe Financa si dhe disa amendamenteve të propozuara nga deputetët.
Projektligji kishte 156 amendamente.
Më pas, Kuvendi me 60 vota për, miratoi propozim-vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për zgjatjen e ndarjeve buxhetore për muajin shkurt të vitit 2019, të përcaktuar me Ligjin nr.06/L-20 për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2018.
Punimet e Kuvendit kanë vazhduar edhe pas orës 2, të së dielës. Pas diskutimit, deputetët kanë votuar statutin e Trepçës si shoqëri aksionare.