Presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov po mban peng ligjin për gjuhët. Edhepse heshtin në kabinetin e tij, qëndrimi i presidentit ishte i prerë se nuk do të dekretojë ligjin për gjuhët.
Partia më e madhe opozitare VMRO DPMNE-ja insiston se ligji për gjuhët është anti-kushtetues. Deputeti Darko Kostovski tha se ky ligj do të shkaktojë kaos institucional dhe do t’i kushtojë shumë shtetit.
“Ky ligj për dygjuhësinë përveç se del jashtë kornizave të Kushtetutës dhe kornizave të Marrëveshjes së Ohrit, e cila është kritikuar edhe nga ekspertët, përveç se është sjellë duke thyer ligjet dhe rregulloren e Kuvendit, është i papranueshëm dhe do të shkaktoj mosfunksionim të institucioneve do të shkaktojë edhe komplikime të majme financiare” deklaroi Darko Kostovski, Deputet i VMRO-DPMNE-së.
Nga ana tjetër partnerët e koalicionit Zaev e Ahmeti mbrojnë ligjin për gjuhët duke thënë se miratimi i tij është bërë konform rregullores së Kuvendit dhe nuk bëhet fjalë për shkelje të Kushtetutës, raporton Alsat-M.
Ligji për gjuhët është votuar. Është çështje ditësh se kur do të hyjë në fuqi. Ivanov e ka obligim kushtetues që ta nënshkruajë dhe bën mirë të mos hezitojë sepse kështu do të ndihmojë në përmbylljen e një kapitulli të rëndësishëm të MO-së – tha Ali Aheti, Kryetar i BDI-së.
Ekspertë të kushtetutës vlerësojnë se presidenti do të përgjigjet para drejtësisë, për shkelje të Kushtetutës, si pasojë e mos nënshkrimit të dekretit të Ligjit për gjuhët.