Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së përmes një peticioni me 10 mijë nënshkrime (që fillon këtë të premte) synon ta rikthejë Ligjin për Gjykatën Speciale në Kuvendin e Kosovës.
Kreu i kësaj Organizate, Hysni Gucati, është treguar i bindur se kjo kërkesë do të përkrahet në Kuvend, duke bërë të ditur se kanë marrë përkrahjen e një numri të madh të qytetarëve që pritet ta nënshkruajnë këtë peticion, i cili pas një jave do t’i dërgohet Kuvendit.
Në anën tjetër deputetët që kanë kundërshtuar themelimin e kësaj Gjykate në gusht të vitit 2015 kanë pohuar për “Zërin” se do ta përkrahin kërkesën e veteranëve.
“Ne e kemi përkrahjen e të gjithë qytetarëve, pa dallim, bindjen politike. Pra edhe të atyre që merren me politikë, por nuk mund të veçoj ndonjë. Në këtë rast nuk ka dallime se a i takon pozitës apo opozitës, ne u bëjmë thirrje të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës që ditën e premte ta nënshkruajnë peticionin”, ka thënë Hysni Gucati, kryetar i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së.