Ligji për investime strategjike, mundësi për investime të huaja

Prishtinë | 12 Tet 2016 | 19:10 | Nga

Miratimi i Ligjit për Investime Strategjike nga Kuvendi i Kosovës konsiderohet se do të lehtësojë procedurat dhe do të rris interesimin e investitorëve të huaj në Kosovë, thonë zyrtarë të Qeverisë së Kosovës.

Përfaqësues të shoqërisë civile e konsiderojnë të domosdoshëm, por tërheqin vërejtjen për rrezikun e rritjes së nivelit të korrupsionit gjatë zbatimit të ligjit.

Qëllimi kryesor i këtij ligji është eliminimi i barrierave, procedurave burokratike – penguese të deritashme – procedurave të stërgjatura e deri te rritja e transparencës për realizimin e investimeve të huaja në Republikën e Kosovës.

Ai i mundëson Qeverisë që të negociojë drejtpërdrejtë me investitorët e huaj, por edhe ata vendorë.

Njëkohësisht, thuhet se ofron kushte të barabarta në aspektin e tërheqjes së investitorëve të huaj, në krahasim më vendet fqinje dhe vendet e rajonit.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, e cilëson atë si një ligj të domosdoshëm për rritjen e nivelit të investimeve të huaja.

Ai thotë se Ligji nuk është shkop magjik i zgjidhjes së problemeve të grumbulluara, por sipas tij, që ky ligj të zbatohet suksesshëm duhet të ketë angazhime për fuqizimin e sundimit të rendit dhe ligjit.

“Kosova ka një problem të madh sa i përket investimeve të huaja, me imazhin negativ të krijuar nga kompanitë ndërkombëtare të cilat kanë hasur në procedura burokratike”.

“Por, është obligim institucional që kushdo që flet me investitorë të huaj të ketë transparencë dhe një dialog të mirëfilltë që mos të përsëriten rastet dhe dështimet nga e kaluara”, ka thënë Gërxhaliu për Radion Evropa e Lirë.

Ligjet e tilla në shtetet e rajonit kanë nxitur reagime, thuhet në një analizë që ka zhvilluar Instituti për Studime të Avancuara – GAP.

Berat Thaqi, analist i politikave në këtë Institut, thotë për Radion Evropa e Lirë se ligji krijon shumë lehtësime dhe mund të nxis investime, pasi eliminon problemet. Megjithatë, sipas tij, ekziston rreziku, pasi që qeveria merr shumë kompetenca, duke mos iu nënshtruar asnjë kontrolli të jashtëm.

Rrjedhimisht, vijon ai, rritet edhe mundësia për korrupsion, marrë parasysh praktikat nga vende tjera të rajonit.

“Duke marrë parasysh se ligj sjell një diskrecion më të madh në Qeverinë e Kosovës për dhënien në shfrytëzim të pronave të paluajtshme që janë pronësi e Kosovës dhe duke marrë parasysh se Kosova ka sundim të dobët të ligjit, atëherë një ligj i tillë paraqet edhe rreziqe më të mëdha sa i përket aferave korruptive”, ka thënë Thaqi.

Por, ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, në një konferencë për media, pas miratimit të ligjit nga Kuvendi i Kosovës, ka thënë se më këtë ligj rritet transparenca.

“Faktikisht, këtu rritet transparenca për dhënien e aseteve në shfrytëzim, për shkak se janë dy mundësi, njëra është që Qeveria të përgatisë një listë të projekteve, me të cilat ajo mund t’u qaset investitorëve dhe kompanive serioze”.

“Opsioni tjetër të cilin e ofron ligji është që investitorët e ndryshëm të cilët mund të jenë të interesuar për asete që janë në pronësi komunale, qoftë shtetërore, qoftë shoqërore, mund t’i qasen Qeverisë së Republikës së Kosovës me kërkesë që të bëjnë investime në këto asete”, tha ministrja Bajrami.

Përveç aspekteve të zbatimit, ngjashëm me Ligjin për Trepçën, edhe Ligji për Investime Strategjike po kundërshtohet nga përfaqësuesit politik të serbëve të Kosovës.

Kryetarët e katër komunave veriore të Kosovës kanë kundërshtuar miratimin e këtij ligji dhe janë zotuar se ai nuk do mund të zbatohet në këto komuna, ngase sipas tyre, nuk është harmonizuar me autoritetet lokale.

Sipas tyre nxjerrja e ligjeve në këtë formë nga institucionet qendrore të Kosovës, bie ndesh me parimet e decentralizimit dhe paraqet një jo sinqeritet të qeverisë qendrore karshi institucioneve lokale.

Por, njohës të fushave të ekonomisë, pohojnë se ligji duhet të zbatohet në gjithë territorin e Kosovës.

Safet Gerxhaliu, thotë se pavarësisht kundërshtimeve, autoritetet kompetente duhet që të motivojnë edhe ata që të jenë pjesë e procesit.

“Pas miratimit të Ligjit për Trepçën dhemLigjit për Investime Strategjike, është e tepërt të pritet duartrokitje, qoftë nga Beogradi, qoftë nga komunat veriore”.

“Por është pjekuri institucionale, që në këto momente, bazuar në dialog dhe sundim të rendit dhe ligjit dhe bazuar në një shtrirje horizontale, t’i motivojmë që edhe ata të jenë pjesë e procesit. Edhe veriu edhe jugu mund të bashkohen ekonomikisht, por shumë vështirë politikisht”, shprehet Gërxhaliu.

Me këtë ligj, përcaktohet themelimi i Komisionit për Negocimin e Marrëveshjeve për Investime Strategjike. Ky komisionin do të themelohet më vendim të Qeverisë së Kosovës si organ për negocimin, lidhjen dhe shkëputjen e investimeve strategjike.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme