Në panelin e diskutimit për mbrojtjen e konsumatorit financiar në Kosovë, organizuar nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK) me temën “Roli i BQK-së në fushën e mbrojtjes së konsumatorit”, u tha se Ligji për Mbrojtjen e Konsumatorit është duke funksionuar dhe si i tillë po adreson me kujdes ankesat e konsumatorit, raporton Ekonomia Online.
Kryeshefi Ekzekutiv i Shoqatës së Bankave, Petrit Balija, ka thënë se shqyrtimi i ankesave nga BQK-ja ka lehtësuar shumë këtë pjesë.
“Jam i inkurajuar nga statistikat e ankesave që i pash. Ka pasur një fustrim nga konsumatorët që ku do t’i adresojnë ankesat pasiqë gjykatat jo gjithmonë kanë qenë efikase dhe BQK-ja ka lehtësuar shumë këtë pjesë. Në vendin tonë është shumë adekuate që BQK ta merr përsipër këtë rol”.
“Sektori bankar kryefjalë e ka besueshmërinë dhe kjo ruhet nëse ne ofrojmë shërbime të mira por edhe nëse i zgjedhim mospajtimet në mënyrë efikase dhe të shpejt. Ministria e Tregtisë ka qenë aktive në përmirësimin e rregullativës që të mos i eliminojmë ankesat e konsumatorëve, por t’i shqyrtojmë ato”.
Arsim Bruçaj, drejtor ekzekutiv i Asociacionit të Institucioneve Mikrofinanciare tha se institucionet financiare janë vetëdijesuar në promovimin e të drejtave të konsumatorit.
“Janë tri aspekte që kanë ndikuar që mbrojta e konsumatorit me evoluar, përmirësimi i kuadrove ligjor me iniciativën e BQK për kompletimin e kornizës ligjore ka ndikuar që edhe BQK edhe institucionet të vetëdijesohen për promovimin e të drejtave të konsumatorëve”.
“Do të duhen edhe iniciativa të shumta që kanë të bëjnë me kërkesat për shpalosje të normës së interesit, sepse kjo e bënë më të kapshme informatën dhe vendimmarrjen”.
Drejtori Ekzekutiv i Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës, Sami Mazreku, tha se rritja e ankesave të konsumatorëve tregon për rritjen e vetëdijes së konsumatorëve.
“Numri i madh i ankesave tregon se vetëdija e qytetarëve është rritur. Sa i përket kornizës ligjore mendoj që është mirë e rregulluar dhe unë mendoj që BQK ka kontribuar që kjo t’i përshtatët ndryshimeve ligjore”.
Drejtori i Departamentit për Mbrojtjen e Konsumatorit nga MTI-ja, Njazi Shala, tha se është e rëndësishme që Ligji për Konsumatorët është duke funksionuar.
“Ndonjëherë për konsumatorin më e lehtë është me ardhur tek ne se sa tek BQK. Mbrojtja e konsumatorit nuk është e shpikur nga ne është e krijuar që pas Luftës së Dytë Botërore. Nuk është me rëndësi se kush e ka bërë Ligjin e Konsumatorëve, por është e rëndësishme se ajo po funksionon”.